E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi premton mbështetjen e qeverisë për policinë

Vushtrri - Policia e Kosovës gjithmonë do ta ketë përkrahjen maksimale të Qeverisë së Kosovës-kjo ishte deklarata që bëri kryeministri kosovar Hashim Thaçi me rastin e diplomimit të trajnimit intensiv tremujor, sot në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri. "Jam shumë krenar që Policia e Kosovës është policia më profesionale në rajon", tha ai. Thaçi theksoi se të gjitha ata që provokojnë dhunë do të përballen me forcën e ligjit.

"Ata që provokojnë incidente dhe dhunë kudoqoftë në territorin e Republikës së Kosovës duhet të përballen me ligjin. Dhunës nuk do t'i përgjigjemi me forcën e dhunës por me forcën e ligjit. Kosova synon të jetë shoqëri e ligjit ku askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin", theksoi kryeministri.

Ceremonia përfundoi me një demonstrim të improvizuar të ndërhyrjes së shpejtë, të realizuar nga 10 pjesëtarët e këtij Njësiti që diplomuan sot. Demonstrimi u realizua para objektit kryesor të Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, përfaqësues nga EULEX dhe ICO, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›