E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhekson: Ndryshimi i Marrëveshjes së Kumanovës, absurde

Ferizaj- Komandanti i parë i KFOR-it, gjeneral britanik Majkëll Xhekson, duke folur për kërkesën e Serbisë për ndryshimin apo rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës, mendon se është "shumë e vështirë për ta ndryshuar Marrëveshjen", që është arritur pas "negociatave të vështira". Xhekson thekson se pjesa më e madhe e Marrëveshjes kishte të bënte me tërheqjen forcave serbe të sigurisë.

“Marrëveshja e Kumanovës ishte shumë e rëndësishme, pasi i dha fund veprimeve ushtarake dhe arriti atë që në Rezolutën 1244 cilësohet si vendosje e pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare”- shpjegoi Xhekson në një intervistë për REL, duke shtuar se nuk mendon që ndryshimi i Marrëveshjes do të ishte gjë e mençur. "Për më tepër, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, ndryshimi i mundshëm i Marrëveshjes është dhe më i komplikuar.

Gjenerali Xhekson i hodhi poshtë si absurde spekulime se për arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës serbëve u janë bërë lëshime për veriun e Kosovës. "Në kohën e negociatave për Marrëveshjen nuk ka pasur trupa të NATO s në Kosovë. Kjo është e pakuptimtë". Ai u shpreh i bindur se në kohën e bisedimeve për Marrëveshjen e Kumanovës nuk është përmendur asnjëherë Mitrovica. "Jam i sigurt se nuk kemi folur për Mitrovicën në veçanti gjatë atyre negociatave".

Në lidhje me veprimet e KFOR it në veri të vendit, veçanërisht të trupave franceze, Xhekson se tha se "gjendja në Mitrovicë ishte shumë e vështirë", ndërsa përbërja demografike në të dyja pjesët e qytetit të ndarë nga lumi Ibër ishte e qartë në vitin 1999, ashtu si dhe më vonë. Në pyetjen direkte se kush e mori vendimin për vendosjen e pengesës mbi urën në lumin Ibër, gjenerali Xhekson tha se "ka qenë vendim i komandës franceze të KFOR it, pasi kishte të bënte me një problem lokal".

Por sipas tij, nuk ka pasur "kritika apo rezerva ndaj qasjes franceze, e veçanërisht vendosjes së pengesës në urën mbi Ibër", pasi siç thotë "francezët duhet të vepronin", ngase një numër i madh i të rinjve në të dyja anët e urës po sulmonin njëri tjetrin.

Duke folur për vështirësitë në çmilitarizimin e UÇK së dhe personalitetet kyçe kosovare në këtë proces Xhekson tha se i kujtohen dy në veçanti: Thaçi dhe Çeku. "Thaçi e vendosi veten si komandant i përgjithshëm i UÇK së, që ishte pozicion politik, ndërkohë që Çeku ishte komandanti ushtarak i UÇK së", tha Xhekson, duke veçuar rolin e Agim Çekut, i cili është marrë drejtpërdrejt me UÇK-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›