E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci takon Stainberg: Kemi mbështetjen e SHBA

PRISHTINë- Kryeministri Hashim Thaçi është takuar me zv.sekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg, të cilin e ka informuar për progresin e arritur në Kosovë në këto dy vite, që, sipas kreut të ekzekutivit, është një progres substancial në ndërtimin e shtetit demokratik, shoqërisë shumetnike, veprimeve për integrimin e të gjitha komuniteteve dhe angazhimeve për implementimin e Strategjisë për veriun.

“E informova z.Steinberg për riformatizimin afirmativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zotimin tonë për rritjen e efikasitetit në qeverisjen e mirë, për sundimin e ligjit, luftën e pakompromis kundër dukurive negative, si edhe hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Thaçi pas takimit me Steinberg.

Kryeministri ka thënë se qeveria e tij krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin, për investitorët, një klimë jashtëzakonisht transparente dhe inkurajuese. Ai ka thënë se e ka informuar zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit edhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha proceset të jenë transparente, të hapura, “në mënyrë që të kemi sukses të plotë edhe në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë”. “Ndihem tepër mirë me bashkëpunimin jashtëzakonisht të ngushtë të institucioneve të Kosovës me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e kryeministrit Thaçi.
(m.a/telegraf/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›