Thaçi, vizitë në Austri me ftesë të kancelarit Faymann

Kryeministri Thaçi pritet të kërkojë nga autoritetet e Vjenës, mbështetjen e përshpejtimit të axhendës evropiane të Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u nis sot për një vizitë zyrtare në Austri, ku do të pritet nga homologu i tij, kancelari austriak, Ëerner Faymann, me të cilin do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Austrisë për përshpejtimin e axhendës evropiane të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Austri, kryeministri Thaçi do të mbajë edhe një fjalim në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku pritet të prezantojë arritjet e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e qeverisë për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime të shumta me kryeministra, presidentë dhe personalitete tjera nga fusha e politikës dhe ekonomisë, ku tema kryesore do të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe perspektiva evropiane e Kosovës.