E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Gati nje qeveri gjitheperfshirese

Kreu i PDK-së thekson se do të ketë aleancë me një parti të vogël e pakicat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, partia e të cilit, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor është renditur e para në zgjedhjet e së dielës, ka deklaruar dje se është i përgatitur të bëjë një qeveri me një parti të vogël dhe me pakicat serbe e turke. Në një intervistë për “Top Channel”, Kryeministri në detyrë deklaroi se, “kam qenë kandidati i vetëm që kam paraqitur një vizion për Kosovën. Në fushatë ishte një garë kush do të më atakonte më tepër. Sa më të ashpra ishin sulmet, aq më pak ata kanë fituar. Ndërkohë, po vë re se ata që kanë humbur më së shumti, po më afrohen më shumë”. Ndërkaq, pyetjes për një koalicion me AAK-në, Thaçi iu përgjigj indirekt duke thënë se, “për mua partnerë do të jenë të gjithë, edhe në rolin opozitar. Do krijoj hapësirë për opozitën. Do të duhet të punojmë bashkërisht për axhendën e Kosovës”.

AKR

Koalicioni për Kosovë të Re, që drejtohet nga Behxhet Pacolli, në një deklaratë të dhënë dje, nuk ka mohuar një koalicion të mundshëm me PDK-në. “Sa i përket krijimit të institucioneve, ne konsiderojmë që sa më shpejt duhet të shihet nëse këto zgjedhje do të certifikohen. Pas kësaj, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë”, - theksohet në deklaratë. Lidhur me pjesëmarrjen e koalicionit në Qeveri, AKR-ja bën të ditur se, “ne mbesim në qëndrimet që i kemi prezantuar para elektoratit dhe opinionit: Koalicioni nuk ka vija të kuqe ndaj subjekteve politike. Pjesëmarrja jonë në çfarëdo koalicioni, tani dhe në të ardhmen, kushtëzohet me hapësirën që ofrohet për të realizuar zotimet tona para zgjedhësve, përkatësisht programin e Koalicionit, referencat e ministrave, kompetencën profesionale dhe politike, përmbushjen e kritereve etike e morale dhe përkushtimin për respektimin e ligjit. Koalicioni do të bashkëpunojë me gjithë subjektet që konstituojnë Kuvendin e Kosovës, për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme që ta nxjerrë vendin nga kriza institucionale dhe e qeverisjes. Për ne mund të jenë të pranueshme edhe alternativa e tjera (qeveria teknike deri në zgjedhje që do të mbaheshin pas një viti apo të ngjashme)”.

Serbët

“Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të Kosovës dhe, si rrjedhojë edhe në institucionet e reja politike të ardhshme të saj, pra edhe në qeverinë e re të saj, do të ishte një kusht për realizimin e interesave të popullit serb, dhe të gjithë ata serbë që morën pjesë në zgjedhjet e Kosovës meritojnë respekt dhe vlerësim”, - theksoi në një komunikatë të saj Partia Liberale e Pavarur (PLP), subjekti politik më i organizuar serb, që pritet të jetë një ndër fitueset kryesore midis serbëve në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë. Sipas kësaj partie, është shumë e rëndësishme që mbas shpalljes së rezultateve zyrtare, përfaqësuesit politikë serbë të jenë partnerë të partive shqiptare të Kosovës, që ata (serbët) të sigurojnë pozita sa më të forta në qeverinë e ardhshme. Sipas rezultateve paraprake, në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë, nga rreth 55 000 serbë të regjistruar në zgjedhje, në këto të fundit morën pjesë më shumë se 50 për qind e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›