E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thatësira pakëson ujin e pijshëm në Tiranë

Shkaku kryesor është mungesa e shirave gjatë kësaj periudhe, ku edhe pse në muajin shtator në Tiranë dhe zonat përreth kanë munguar plotësisht reshjet.

“Prej disa ditësh janë pakësuar prurjet nga burimet e Selitës, Shën Mërisë dhe puseve që shfrytëzohen për furnizimin me ujë të një pjese të Tiranës. Kjo do të thotë se është pakësuar edhe sasia e ujit që shkon në rrjet dhe më pas në rubinetet e qytetarëve”, tha drejtori i UKT-së, Sahir Dollapi. 

Duke garantuar qytetarët se, Ujësjellësi i Tiranës nuk ka asnjë defekt që shkakton probleme në furnizimin me ujë, Dollapi sqaroi se, “ka dy arsye madhore që ndikojnë në këtë situatë".

 "E para është thatësira, pasi të dhënat tregojnë se kjo është periudha më e gjatë pa reshje në 50 vitet e fundit, gjë që ka ndikuar tek pakësimi i burimeve të Selitës dhe Shën Mërisë, të cilat bashkë me Bovillën janë burimet kryesore që prodhojnë ujë për Tiranën”, tha ai. Arsyeja e dytë që redukton sasinë e ujit dhe që është po aq problematike sa thatësira, sipas tij, është shpërdorimi i ujit të pijshëm.

"Me keqardhje, UKT vazhdon të konstatojë lidhje të paligjshme në rrjet, por edhe qytetarë që me ujë te pijshëm lagin trotuaret, oborret, madje uji i pijshëm përdoret edhe për vaditje”, theksoi Dollapi, duke siguruar se, Ujësjellësi i Tiranës po bën më të mirën për menaxhimin me kujdes të burimeve ujore, në mënyrë që të sigurojë një furnizim sa më normal me ujë në këtë mot aspak normal për thatësirën e tij./S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-15 11:06
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›