E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thatesire emergjence humanitare ne Afriken Lindore

Ndërsa një thatësirë e pazakontë ka përfshirë bregun lindor të Afrikës, agjencitë ndërkombëtare të ndihmave ngrenë alarmin se gjysmë milionë fëmijë rrezikojnë të vdesin nga uria dhe etja. Familjet në disa shtete të rajonit afrikan largohen çdo ditë nga shtëpitë e tyre për të gjetur burime ushqimi.

Çmimet e larta të prodhimeve ushqimore dhe thatësira më e rëndë që nga vitet 50, i shtyjnë banorët e Kenias, Somalisë, Xhibutit dhe Etiopisë drejt një situate të pashpresë, të paktën kështu raporton UNICEF, agjencia e OKB-së për fëmijët.

Sipas saj, mbi dy milionë fëmijë janë të kequshqyer, ndërsa gjysmë milioni prej tyre ndodhen në rrezik për jetën, një numër i dyfishuar në krahasim me të dhënat e 2009. Në njërin nga kampet në Etiopi, situata në të cilin është më shumë se alarmante, ndodhin katër vdekje për 10 mijë fëmijë. E njëjta situatë raportohet edhe në Turkana, në Kenia.

UNICEF apelon për ndihma në shifrat e 31.9 milionë dollarëve për të ndihmuar ata që rrezikojnë më shumë. Gjithashtu, organizata planifikon edhe fushata vaksinimi, sidomos sa i takon fruthit, që mund të rezultojë vdekjeprurës. Situata më e fundit ka vënë nën presion OKB-në, buxheti i së cilës për rajonin parashikon 477 milionë dollarë.

Numri i personave që u nevojitet ndihmë parashikohet të arrijë 10 milionë, në ndryshim nga parashikimi i mëparshëm prej 6 milionë, shton Programi Botëror i UShqimit. Vetëm çmimi i një thesi me misër është rritur me 160 për qind, vit pas viti. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›