The Doctor, çaku i parë në Preshevë
Sipas skenaristit të këtij filmi Valon Arifi, filmi do të jetë i metrazhit të mesëm dhe nuk do të zgjasë më shumë se 30 minuta. Në film flitet për një djalë të pasionuar pas kitarës, i cili pasi mbaron shkollën e mesme i pëlqen të studiojë muzikën, por prindërit e detyrojnë atë që të studiojë mjekësinë. Kjo bën që dëshirat dhe ëndrra e djalit të ri të mbetet në mes, shprehet skenaristi i filmit, ndërsa shton se: nën presionin e familjes ai detyrohet që të punojë në Shtëpinë e Shëndetit, por ai vendos që të largohet nga familja e tij. Me gjithë vuajtjet që has, personazhi kryesor i filmit edhe pse ai shkon në një degë që ai nuk ka dëshirë të ndjekë studimet, ai gradualisht arrin që të këtë sukses në këtë fakultet, pasi merr nota të larta, por ai nuk është i lumtur. Fillon të konsumojë alkoolin, duhanin dhe shume vese që kurrë më parë si kishte bërë. Deri në momentin kur ai gjysmë i dehur fillon hapat e parë të karrierës së tij dhe që në fund rikthen gjithçka rreth vetës veçanërisht lumturinë që i mungonte për shumë vite, tregon më tej skenaristi i filmit. Më tej Arifi thotë se xhirimet për këtë film do të bëhen në qytetin e Preshevës dhe Shkupit, ndërkaq që ai është edhe producent i filmit dhe thotë se në film janë të gjetur dhe njerëz, të cilët deri më tani kanë punuar në filma të ndryshëm. Skenaristi i filmit The doctor tregon se ata kanë dëshirë që prodhimi kinematografik të ketë një udhë të gjatë dhe të bukur në festivale të ndryshme teatrore. Synimi i jonë është që të marrim pjesë në festivalin Los Angelos Short Film Festival, pasi është shumë i rëndësishëm për gjini të tilla filmike, pohon ai. E ndërsa kanë filluar xhirimet, skenaristi dhe producenti i filmit The doctor nuk ka dashur që të tregojë emrat e aktorëve që do të luajnë në këtë film, duke shtuar se këtë do ta bëjë në të ardhmen regjisori Tomor Misini. Projekti filmik The Doctor mbase nuk është projekti i parë që realizohet në qytetin e Preshevës, por është projekti i vetëm që ka marrë përkrahje për realizimin nga të gjitha qendrat kinematografike në rajon, tha Arifi. Ky projekt filmi është përkrahur nga institucionet lokale në Preshevë dhe nga zyra e British Council në Beograd, por ai ka pasur dhe shumë mbështetje të tjera financiare. Kështu një donacion ka ofruar edhe Serbiafilm, por këtë donacion producenti Arifi është në dilemë të pranimit të tij. Premiera e filmit pritet që të jepet në fund të muajit prill të këtij viti. Skena të filmit do të ketë Prishtina e Shkupi, por disa skena të tij do të xhirohen dhe në Tiranë.