5 vjet Kosovë e pavarur - vazhdon vrapi i shqiptarëve drejt BE-së dhe NATO-s

Përvjetori i pestë i pavarësisë e gjen Kosovën të njohur tashmë nga pothuajse 100 vende të botës, me një mbikëqyrje të përfunduar të pavarësisë si dhe të anëtarësuar në shumicën e organizatave ndërkombëtar. Këto kredenciale vërtetojnë se shteti i Kosovës ka atribute demokratike dhe se është i zotuar për të vrapuar me nxitimin e një maratonomaku drejt integrimit të shpejtë në strukturat euro-atlantike
Shënimi i përvjetorit të pestë të pavarësisë u shënua me një atmosferë tepër të dendur festive në Kosovë. Rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve të zbukuruara me flamurin e Kosovës, Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së dhe u shndërruan në një arenë gëzimi, me shqiptarë të ardhur për të festuar nga të gjitha trojet e Ballkanit dhe diaspora.
Kronologjia e festimeve vazhdoi me mbajtjen e një seance solemne në Kuvend dhe të një parade ushtarak. Në seancën solemne, ligjvënësve dhe kabinetit qeveritar, në seancë morën pjesë edhe presidentja, Atifete Jahjaga, presidenti i vendit tonë, Bujar Nishani, kryerja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe përfaqësues nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe personalitete të njohura vendase dhe ata të korit diplomatik në Prishtinë.
Në fjalimin e saj, presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova shpalli pavarësinë e saj në koordinim me vendet mike. Kurse synim i saj i kamotshëm është që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Tani, Kosova duhet të konsolidojë shtetësinë e saj, vijoi presidentja Jahjaga, duke përsëritur se pavarësia është akt i pakthyeshëm.
Ajo tha se dialogu që po zhvillohet me Serbinë, nuk ka për qëllim ndarjen e Kosovës dhe as autonominë territoriale për veriun.
“Dialogu nuk po zhvillohet për ta ndarë Kosovën, e as për të krijuar enklava të veçanta të askujt, as autonomi e statuse të posaçme. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në bazë të standardeve evropiane”, tha në fjalimin e saj Jahjaga. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se pavarësia e Kosovës paraqet sublimim të sakrificave dhe përpjekjeve të vazhdueshme të gjeneratave të tëra. Kurse, njohja e Kosovës nga vendet më të fuqishme dhe demokracitë më të zhvilluara, paraqet suksesin më të madh, theksoi kryeministri Thaçi.
“Brenda një periudhe 14-vjeçare, Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike-çlirimin, pra lirinë e saj dhe pavarësinë e saj. Që nga shtatori i vitit që shkoi, Kosova hoqi mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë suksesshëm, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj. Kjo është meritë e të gjithëve. Kjo dëshmon se historia e Kosovës është një histori e suksesshme kosovare dhe gjithë-ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.
Në fjalimet e tyre, liderët kosovarë thanë se Kosova ka shënuar shumë përparime, por njëherësh rikujtuan sfidat, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor. Ata u zotuan se Kosova, si shteti më i ri i evropian, do të shikojë kah e ardhmja përmes integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në praninë e personaliteteve të larta shtetërore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, por edhe të ambasadorëve të shumtë të vendeve të ndryshme të botës dhe një numri të madh qytetarësh, në mesditë u mbajt ceremonia kryesore e shënimit të pesë-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Drejt një të ardhmeje më të mirë...
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, hapi ceremoninë e parakalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, në cilësinë e komandantes supreme të kësaj Force.
Duke nderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë dhe për shtetësinë e Kosovës, presidentja ka falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet thera që kontribuuan në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.
“Në këtë ditë, ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë ata që punuan për atdheun. Ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë që gjatë gjithë jetës, me punën e vet të përditshme, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, një shoqërie të njerëzve të lirë e të qytetarëve të barabartë, të një shteti demokratik me rend dhe sundim të ligjit, me institucione të përgjegjshme në shërbim të qytetarit. Republika e Kosovës sot është një kontribuuese e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, dhe të marrëdhënieve bilaterale, me synimin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Jahjaga gjatë kësaj ceremonie.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se, “Republika e Kosovës është në rrugë drejt anëtarësimit evropian”.
Ai theksoi se “rezultatet që vendi ka arritur gjatë pesë këtyre viteve, janë të kënaqshme, pavarësisht sfidave. Liria dhe pavarësia ka qenë ëndërr, për të cilën është sakrifikuar me shekuj të tërë. Për këtë të arritur madhështore lëvdata kanë edhe qytetarët e Kosovës. Falënderimi i madh shkon te qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie dhe fetare. Shprehim respektimin më të madh për të gjithë dëshmorët e rënë për të gjithë luftëtarët që luftuan për këtë liri”, deklaroi Thaçi, duke rikujtuar se shteti i Kosovës është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe se Kosova po ndryshon për të mirë. SHBA-ja admiron punën e këtyre pesë vjetëve që është bërë në Kosovë, tha zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan. Ajo deklaroi se institucionet kosovare, gjatë këtyre viteve, kanë shënuar shumë të arritura, të cilat askush nuk duhet t’i nënvlerësojë.
“Sot kemi shumëçka për të festuar. Ne letrën që presidenti Obama i ka dërguar presidentes Jahjaga i ka thënë se SHBA-ja admiron atë që ka arritur Kosova në këto 5 vjet. Ky përparim është i dukshëm në sektorin e sigurisë, 5 vite Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia dhe Agjencia për Menaxhim të Emergjencave ka luajtur një rol jetik për qytetarët. Ju keni demonstruar se Kosova mund të kontribuojë për siguri në vend dhe rajon”, deklaroi Degnan.