“The Guardian”: Shqipëria, destinacion turistik në 2013-n

Pak ditë më parë “Huffington Post” renditi 10 arsyet pse duhet vizituar Shqipëria gjatë 2013-ës, ndërsa britanikët e “The Guardian”, e cilësojnë vendin tonë ndër 20 vendet me bregdetin më të mirë
Edhe pse jemi ende në muajt e ftohtë të stinës së dimrit sugjerimet për destinacionet turistike të vitit 2013 kanë filluar. Bukuritë natyrore të Shqipërisë edhe këtë vit nuk lihen pa u përmendur në prestigjiozen britanike “The Guardian” e cila e rendit atë ndër më të preferuarat. “The Guardian” në rubrikën Travel, në një artikull të posaçëm, rendit 20 plazhet me të volitshme, sipas saj, për të kaluar pushimet në vitin 2013. Shkrimi nis që në hyrje të tij, duke u ilustruar me një fotografi nga plazhi i Ksamilit, të cilin e cilëson si një nga ndalesat e pushimit të ri detar 7 netësh në Shqipëri, e cila, thuhet në shkrim, është Kroacia e ardhshme. “Provoni Shqipërinë. Me një bregdet prej 380 miljesh të gjatë, me fshatra të bukur buzë detit, me rrënojat romake dhe plazhet e Adriatikut po njihet si Kroacia e ardhshme midis kërkueseve aventurierë të plazheve. Një pushim i ri prej shtatë netësh është një prezantim i mirë, duke u strehuar në qytete historike, rrënojat bizantine dhe otomane dhe plazhe të shumta me rërë të bardhë, lagunat dhe gjiret”, thuhet në shkrimin e Rhiannon Batten. Pas Shqipërisë, ndër plazhet më të volitshme për të kaluar pushimet në 2013 shkrimi rendit, Ishullin Santa Maria në Azore, Ishujt Canarie, Marina di Venezia në Itali, etj. Pak ditë më parë ishte gazeta amerikane “Huffington Post” me një shkrim të Leyla Giray, e cila e rendiste Shqipërinë në krye të listës së destinacioneve turistike për vitin 2013-ë. Sipas Leyla Giray, 10 arsyet pse duhet vizituar Shqipëria gjatë 2013-ës janë siguria, natyra, turizmi kulturor, diversiteti, moti, çmime, që sipas saj janë 30 deri në 40 për qind më të lira se në vendet fqinje. Ndërsa ndër vendet ekzotike të Shqipërisë që duhen vizituar janë Butrinti, Berati, Gjirokastra, Kishat e Voskopojës, liqeni i Komanit, bukuritë përrallore të Alpeve si dhe brigjet e detit Adriatik dhe atij Jonian.
...