Ultimatumi për Ministrin e Mbrojtjes: “Të hapet Pashalimani për turistët”
VLORË – Kureshtia që nga ngjallur baza e Pashalimanit tek turistët e huaj, e ndërtuar rreth 55 vjet më parë nga rusët, ka nxitur drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Orikut që të kërkojnë hapjen e kësaj zone ushtarake. I ndodhur brenda parkut, vendi ku ndodhen nëndetëset ushtarake, ka patur një numër vizitorësh vendas dhe të huaj gjithnjë e në rritje. Vetëm 6 ditë më parë është kthyer një grup prej 100 vizitorësh të huaj, pasi ata nuk u lejuan të shikonin bazën për shkak të procedurave të gjata dhe lejes së posaçme që duhej të merrnin nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ka nxitur drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Orikut që të përfshijnë brenda zonës së vizitueshme edhe bazën, e cila tashmë nuk ka më funksionin ushtarak të dikurshëm.
Situata
Drejtori i këtij parku, Nasip Xhelili shprehet se “pavarësisht nga pengesat, që lidhen me vendndodhjen e parkut, brenda territorit të bazës ushtarake të Pashalimanit, numri i vizitorëve këtu, ka ardhur në rritje të vazhdueshme”. Xhelili sqaron se gjatë vitit të kaluar mjediset e Parkut Arkeologjik të Orikut u frekuentuan nga rreth 800 turistë të huaj e nga rreth 3500 vizitorë vendas. Ky numër, sipas Xhelilit, mund të ishte më i madh, nëse nuk do të ekzistonin pengesat procedurale për të marrë leje në organe të larta drejtuese të Forcave të Armatosura të Republikës, për shkak se parku përfshihet në një territor ushtarak. Pesë ditë më parë, sipas tij, një grup me 100 turistë të huaj u kthye, për shkak të pengesave të pakapërcyeshme të hyrjes së tyre, në territorin e Parkut. Aktualisht, po bëhen përpjekje për lehtësimin e procedurave të kalimit të vizitorëve, që pritet të realizohet në një kohë optimale. Kjo, thotë drejtori Xhelili, do të shoqërohet me veprimtaritë promovuese të vlerave që ofron Parku Kombëtar Arkeologjik i Orikut. Drejtori i parkut thotë se, me heqjen e këtyre pengesave, numri i turistëve të huaj, pritet të dy dhe trefishohet.
Parku
Krijimi i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, vlerësohet nga arkeologët vlonjatë si një projekt mjaft efektiv, që mundëson ridimensionimin e kësaj qyteze antike dhe shfrytëzimin e vlerave që ofron ajo. Në këtë qendër, veç vlerave të periudhës së antikitetit, si mozaikë, janë zbuluar edhe objekte të periudhës mesjetare. Gërmimet më të fundit në këtë qendër, janë bërë të paktën 20 vjet më parë, kur u zbuluan një pjesë e amfiteatrit, nekropoli, shkallët që të çonin tek akropoli, etj. Pjesa më e madhe e gjurmëve të këtij qyteti, ndodhen nën tokë dhe nën sipërfaqen e ujërave të lagunës që gjendet shumë pranë. Në ditët me mot të kthjellët, një pjesë e rrënojave reflektojnë në sipërfaqen e ujit. Qyteti, që mendohet të jetë ndërtuar nga eubeasit kolonë, në territorin e banuar nga fisi ilir i Amantëve, i ka fillimet në shekullin VI, para Krishtit, kur ai njihej me emrin Jeriko. Oriku përjetoi një zhvillim të vrullshëm gjatë periudhës së pushtimit osman, për shkak edhe të pozitës gjeografike. Pak ditë më parë, në këtë qytezë, përfundoi restaurimi i Pusit të Shenjtë, një nga objektet më të rëndësishme të kësaj qendre arkeologjike, që u mundësua përmes një projekti të financuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal(AULEDA). Në të ardhmen, janë parashikuar të realizohen edhe projekte të tjera restauruese të objekteve që ndodhen në territorin e parkut, si dhe një fushatë promovimi shumëdimensionale. Në 3 maj, për herë të parë, në Parkun Arkeologjik të Orikut, u çel sezoni turistik për bashkinë e Orikumit, në prani të qindra banorëve të zonës, nga qyteti i Vlorës e më gjerë. Në janar të vitit 2006, qyteti antik i Orikut, u shpall Park Arkeologjik Kombëtar, krahas atij të Amantias, me propozim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Boks
Çekët kërkuan njërën nga nëndetëset
Para disa muajsh mediat çeke njoftuar se Çekia i ka kërkuar Tiranës zyrtare njërën nga nëndetëset që ndodhet në bazën e Pashalimanit. Për këtë kërkesë është zhvilluar një takim mes ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe homologes së tij çeke. Çekët janë interesuar për ta marrë njërën prej tyre dhe për ta vendosur në muzeun e luftës në Pragë. Ata kanë planifikuar që ta çmontojnë dhe ta dërgojnë në vendin e tyre dhe më pas ta vendosin në gjendjen aktuale që është sot. Madje, është parashikuar për tu bërë edhe remonti i disa prej pjesëve të saj. Ajo do të vendoset në njërin nga muzeumet e luftës dhe do të jetë e hapur për vizitorët e shumtë, që janë kuriozë për periudhën e Luftës së Ftohtë. Nëndetësja është prodhim rus dhe ka ardhur në bazën e Pashalimanit përpara viteve 60, në kohën e miqësisë së madhe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.
TIMS “fut në rrjet” dy të kërkuarit
KAKAVIJË - Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim janë ndaluar në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë nga punonjësit e shërbimit kufitar të Kakavijës. Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, Gentian Mullai, tha se Mehmet Meta, 26 vjeç, lindur në fshatin Çetush (Dibër) dhe banues në fshatin Delisufaj (Lushnjë), si dhe Martin Lena, 26 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Kamëz (Tiranë), gjatë kontrollit të dokumenteve në sistemin “T.I.M.S” kanë rezultuar persona të shpallur në kërkim. Të dy të ndaluarit ishin shpallur persona në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për shkak se Mehmet Meta kishte kryer veprën penale “Dezertim nga ushtria”, ndërsa Martin Lena, ka plagosur me thikë për motive të dobëta shtetasin Florjan Sefa.
Prishen 30 ndërtime pa leje për rrugën e re
FIER - Rreth 30 objekte pa leje në qytetin e Fierit janë shembur gjatë dy ditëve të fundit nga Inspektoriati i Policisë Ndërtimore. Ndërtimet e shembura ndodheshin në lagjen 'Kryengritja e Fierit' që përfshihet në rajonin nr. 1 dhe ato binin në kundërshtim me strategjinë e zhvillimit urban. Kryetari i rajonit nr. 1, Andrea Panda, tha të hënën se "aksioni i nisur dy ditë më parë përfundoi të hënën, me prishjen e objekteve kryesisht garazhe, kioska e mure rrethuese". Sipas tij, në këtë lagje bashkia ka planifikuar ndërtimin e një rruge në parametrat bashkëkohorë, me trotuare, lulishte dhe ndriçim, me një fond rreth 14 milionë lekë. "Projekti do të nisë nga zbatimi të marten dhe financimi i tij është siguruar nga të ardhurat e bashkisë", - përfundoi Panda
Masa, mbeten në burg 3 të ndaluarit e “Konsullit të rremë”
VLORË - Gjykata e Vlorës vendosi të hënën masën e sigurisë "arrest në burg", për tre të arrestuarit e pak ditëve më parë, në kuadër të operacionit "Konsulli i rremë". Në seancën e zhvilluar dje, u vlerësua i ligjshëm ndalimi i Rikard Lushnjarit, Ali Banit, Sadik Shytajt, ndaj të cilëve u vendos dhe masa e sigurisë, "arrest në burg". Ndërkohë që A.Guçe, do të hetohet në gjendje të lirë, për shkak të pamjaftueshmërisë së provave. Të katër këta shtetas u ndaluan pak ditë më parë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se me anë të mashtrimit kanë përfituar nga dhjetëra persona, shuma të ndryshme nga 2000-3000 euro. Ata premtonin nxjerrje vizash, përshpejtim dhe lehtësim të procedurave në Konsullatën e Përgjithshme të Italisë në Vlorë, duke falsifikuar dokumente të ndryshme. Gjatë operacionit, atyre iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, vula të institucioneve të ndryshme, 12 dëshmi aftësie për drejtimin e automjeteve, certifikata, një sasi prej 700 eurosh, 120 mijë lekë etj.
20 Maj 2008