E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkojnë për denoncimin e gruas, gjejnë arsenalin e municioneve



BERAT – Forcat e komisariatit të Beratit janë nisur në aksion për të parandaluar një keqtrajtim në familje pas denoncimit të bërë në polici, por kanë gjetur një arsenal të tërë municionesh. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në lagjen "Uznovë" të qytetit të Beratit, fare pranë shtëpisë së shtetasit Dashnor Roli, janë gjetur 26 arka me nga 720 fishekë secila dhe një pushkë karabinë. Një grup i gatshëm i policisë ishte nisur për të verifikuar grindjen mes bashkëshortëve Roli, pasi gruaja kishte bërë denoncim për keqtrajtim dhe dhunë fizike nga ana e burrit të saj. Burimet bëjnë të ditur se në zyrat e komisariatit të policisë, shtetasja T. Roli, jo vetëm që ka denoncuar bashkëshortin për dhunën e ushtruar ndaj saj, por ka dëshmuar edhe faktin se Dashnor Roli kishte groposur në një nga depot e shtëpisë një arsenal fishekësh luftarakë, të cilat ishin vjedhur nga depot e armatimi gjatë vitit 1997. Menjëherë pas këtij sinjalizimi, policia është drejtuar në vendngjarje dhe pasi ka shkuar në banesën e 43-vjeçarit Dashnor Roli, e ka detyruar atë të tregojë edhe për vendin e saktë se ku ishte fshehur armatimi. Pas hapjes së gropës, policia ka gjetur brenda saj 26 arka me nga 720 fishekë, të gjitha municione për armë automatike model 56 dhe një pushkë "karabinë" 7-she. Rreth 20 mije fishekët e gjetur ishin të prodhimit rus dhe kinez. Pas sekuestrimit të këtyre municioneve luftarake, policia ka ndaluar 43-vjeçarin Roli, ndaj të cilit rëndon jo vetëm akuza e "dhunës" ndaj bashkëshortes së tij, por edhe ajo e "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".

Eneida Petova

Zbulohet rrjeti i kontrabandës në port, kapen 5 koli cigare

DURRËS – Pas disa ditësh hetimi, policia e Durrësit ka arritur të zbulojë dhe kapë në kushtet e flagrancës një rrjet kontrabandistësh të cigareve. Burimet zyrtare të policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se të dielën në mbrëmje, rreth orës 21.30, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Portit bënë të mundur arrestimi në flagrancë të shtetasve; Erion Lako, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Rozarta Pango, banuese në Delvinë dhe Julian Shahini, lindur dhe banues në Shijak”. Sipas tyre, “procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi për arsye se më date 18.05.2008, rreth ores 11.00, shtetasi Erion Lako është kapur ne flagrancë nga shërbimet e Policisë duke tentuar të nxjerrë nga sheshi i trageteve i Portit Detar Durrës, 200 steka cigaresh të markave Marlboro dhe Philip Morris. Malli ishte vendosura në katër koli, të cilat i kishte fshehur duke i mbuluar me thasë në autoveturën tip Mercedes Benz, me targa TR 1273 K. “Nga veprimet e para hetimore të kryera lidhur me këtë rast rezultoi se ky shtetas, duke qenë i punësuar si shofer pranë firmës E&G Kristal Cleaning, e cila merret me pastrimin dhe larjen e çarçafëve ne tragetin “Santa Maria”, dyshohet se ka marrë këtë sasi cigaresh nga shtetasja Rozarta Pango, e cila kryen detyrën e përgjegjëses se “Duty Free Shoop-it” në këtë traget”, - thuhet në njoftimin e policisë. Sipas burimeve policore, “nga veprimet e para rezultoi se kjo sasi cigaresh do t’i jepej më pas shtetasit Julian Shahini, i cili do të bënte shitjen e tyre”. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasinë e cigareve dhe materialet i kaluan për ndjekje penale prokurorisë, ku ndaj të arrestuarve rëndon akuza e veprës penale “të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë, në bashkëpunim”.

TË ARRESTUARIT
Erion Lako, banues në Tiranë
Rozarta Pango, banuesë në Delvinë
Julian Shahini, banues në Shijak

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›