“The Sun” kritikon votën e Ledi Biankut në Strasburg
Ne 6 gusht, përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku, bashkoi votën e tij me gjykatësit që penguan ekstradimin e klerikut të dyshuar si terrorist Abu Hamza në SHBA. Argumenti ishte se SHBA-ja nuk garanton të drejtat e njeriut. Në editorialin e tij të titulluar “Gjykatësit e llumit”, tabloidi “The Sun” i datës 7 gusht shkruante “se ju kurrë nuk keni dëgjuar për shtatëdhjetë e dyvjeçarin Giovanni Bonnell nga Malta. Ose për Ledi Biankun, 37 vjeç, nga Shqipëria. Por këta të dy së bashku me shtatë gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut bllokuan ekstradimin e predikuesit të urrejtjes Abu Hamza në SHBA”. Në editorial theksohej se “Bonnell e Bianku dhe kolegët e tyre vinin nga vende të errëta, që kurrë nuk i janë kundërvënë terrorizmit islamik”. Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se të nëntë gjyqtarët që votuan kundër, vinin nga vende që vështirë se kanë planifikuar ose mbështesin luftën kundër terrorizmit. Për fat të keq, vota e përfaqësuesit të Shqipërisë u bashkua me votat e gjyqtarëve që vinin nga vende të tilla si Moldavia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Sllovakia, Polonia etj. Ndërkohë që gjyqtarët që përfaqësonin vendet kryesore të Bashkimit Evropian votuan pro ekstradimit të tij në SHBA. Sipas gjykatësve që votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait, sistemi i drejtësisë amerikane në shumë aspekte vjen në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo mund të sjellë trajtimin johuman e degradues të tij, nëse ai dërgohet në SHBA.