Gjeorgji, tre ushtarakë shqiptarë në vijën e frontit
Shqipëria po jep kontributin e saj modest në konfliktin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në krahinat e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Tre majorë të ushtrisë shqiptare ndodhen në zonën më të nxehtë të konfliktit nën flamurin e OKB-së, një mision i veçantë ushtarak i cili ndodhet në këtë zonë për të garantuar paqe. Këtë fakt e ka konfirmuar zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, i cili tha dje se tre majorët shqiptarë janë mirë, pasi stafi i Ministrisë komunikoi me ta. “Ushtarakët tanë janë të vendosur në kryeqendrën e Abkhazisë, njëri prej tyre, ndërsa dy ushtarakë të tjerë janë vendosur në të dy vijat e zjarrit. Situata atje është e rrezikshme, por nuk është e jashtëzakonshme. Ushtarakët tanë janë të përgatitur për të përballuar situata të tilla”, - tha Karabina. Duke folur për gazetën “standard”, Karabina tregon se trupat shqiptare janë pjesë e marrëveshjes me OKB-në, për të garantuar marrëveshjen e paqes mes Abkhazisë dhe Gjeorgjisë. Majorët shqiptarë, të cilët ndodhen në Abkhazi, aktualisht po përballen me situatën më të rëndë që ka ndodhur në këtë zonë që nga fillimi i viteve 1990. Detyra e tyre është mbikëqyrja e marrëveshjes së paqes, por pavarësisht se qëndrojnë në Abkhazi nën flamurin e OBK-së, siguria e tyre nuk është e garantuar. Oficerët shqiptarë bëjnë pjesë në kontigjentin e 136 ushtarakëve të Kombeve të Bashkuara, detyra e të cilëve është të vëzhgojnë realizimin e marrëveshjes mes Abkazisë dhe Gjeorgjisë. Historia e kësaj marrëveshjeje nis në vitin 1993 mes Gjeorgjisë dhe Abkhazisë, ku të dyja palët nënshkruan që të mos përdorin forcën, por vetëm tre muaj pas nënshkrimit të saj, ajo u shkel. Në vitin 1994, OKB-ja miratoi një rezolutë e cila vendosi armëpushimin mes Gjeorgjisë dhe Abkhazisë. Në këtë pikë edhe Shqipëria ka luajtur rolin e saj. Që nga viti 2003, në Abkhazi kanë qenë të pranishëm ushtarakë shqiptarë të cilët kanë një mision për të qëndruar në detyrë prej 1 viti dhe më pas ata ndërrohen nga oficerë të tjerë. “Me ndërhyrjen e trupave ruse në Osetinë e Jugut, mund të themi se ka përfunduar dhe ka thyer marrëveshjen. Marrëveshja e vitit 1994 ka përfunduar pasi trupat ruse kanë bombarduar edhe në Gjeorgji”, - shprehet Karabina. Rusia dërgoi pak ditë më parë qindra tanke dhe trupa në rajonin e Osetisë së Jugut dhe bombardoi disa qytete të Gjeorgjisë në një shkallëzim të madh të konfliktit ku kanë mbetur shumë të vrarë dhe të plagosur. Ministri i Brendshëm i Gjeorgjisë tha se aeroplanët rusë sulmuan qytetin port të Potit në Detin e Zi, i cili ka një kantier të madh detar. Ndërkohë, duket se situata do të përmirësohet në Abkhazi, ku ushtarakët tanë kryejnë misionin e tyre, pasi pala ruse vendosi të ulë armët. Presidenti rus, Dmitri Medvedev, tha se urdhëroi ndërprerjen e veprimeve ushtarake në Gjeorgji, ndërsa Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, mbërriti në Moskë për t'i dhënë shtytje kërkesave të Perëndimit për armëpushim. Ndërkohë nga ana tjetër, Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili tha se avionët rusë vazhdonin të sulmonin objektivat gjeorgjiane, me gjithë njoftimin e armëpushimit. Ai tha në një miting të madh se vendi është nën pushtimin e huaj dhe se do të tërhiqet nga Komonuellthi i Shteteve të Pavarura, grupim i ish-republikave sovjetike