Interneti në Shqipëri, 500 mijë banorë përdorues të tij
Shqipëria gjatë vitit 2007 ka pasur një rritje të ndjeshme të përdorimit të internetit krahasuar me vendet evropiane. Sipas statistikave të publikuara nga prestigjiozja “Internet World Statistics”, në Shqipëri gjatë vitit 2007 ka një rritje të madhe, krahasuar me vitin 2006 në përqindjen e përdorimit të internetit. Sipas kësaj prestigjiozeje, e cila njihet si numri 1 në botë për matjen statistikore të penetrimit të internetit dhe rritjes së përdorimit të tij, informon se numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri për vitin 2007 është 471.200 përdorues. Duke iu referuar “Internet World Statistics”, përqindja e rritjes së përdoruesve të internetit 2006-2007 është 18 për qind ose është përqindja më e madhe e rritjes së përdorimit të internetit në Evropë për vitin 2007. Përqindja mesatare në BE është 48.1 për qind, kurse në botë është 21.9 për qind, ndërsa për Shqipërinë 15.3 për qind. Kontinenti i cili ka përdorimin më të madh të internetit është Amerika e Veriut, me 73.6 për qind. Ndërsa kontinenti me përqindje më të ulët është Afrika me 5.3 për qind.