Xhufi: PS-ja s’ka ndërmend të negociojë me ne
Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të kërkojë bashkëpunimin me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore. I mandatuari i kësaj partie për të negociuar me PS-në, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se nga ana e Partisë Socialiste vazhdon të ketë heshtje, madje sipas tij, PS-ja nuk e ka mandatuar asnjëherë kryetaren e grupit parlamentar Valentina Leskaj për të negociuar. Xhufi pranoi se ka pasur disa takime informale me Leskajn, por kjo e fundit nuk mund të shprehet sepse nuk e ka mandatuar partia e saj. “Ne shpresonim shumë që ky takim të bëhej, aq më shumë kur parashikohej që Kodi Zgjedhor të përfundonte brenda muajit korrik, të paktën kështu kishin deklaruar përfaqësues, qoftë të PD-së, qoftë të PS-së për ta konkluduar këtë çështje brenda mbylljes së sesionit parlamentar të verës. Pra, kjo gjë nuk u arrit”, - tha Xhufi. Sipas tij, LSI-ja ka bërë një kërkesë zyrtare ndaj Partisë Socialiste për t’u ulur dhe negociuar lidhur me reformën zgjedhore, por për fat të keq nuk u arrit asnjëherë që takimi të bëhej. “Ne bëmë një kërkesë zyrtare, një ofertë për t’u takuar dhe për të biseduar në radhë të parë për çështjet e Kodit Zgjedhor, që është edhe detyra më emergjente e politikës sot. Për fat të keq, me gjithë ngacmimet dhe takimet informale që ne kemi bërë gjatë muajit të kaluar, nuk u arrit që të bëhej ky takim. Sigurisht, jo për fajin tonë”, - shtoi Xhufi. Kryetari i grupit parlamentar LSI-PDS theksoi se të paktën shpreson që me ardhjen e sesionit të ri parlamentar dhe me nisjen e punës për reformën zgjedhore, dy partitë të arrijnë në një akordim për të pasur takime mes përfaqësuesve të tyre. “Përveç dy-tri takimeve informale që kam pasur me kolegen time, zonjën Leskaj, ajo nuk u mandatua nga partia e saj për të bërë një diskutim zyrtar dhe formal për çështjet e shtruara. Kështu që u shty edhe afati i realizimit të Kodit. Ndërkohë, oferta jonë është gjithmonë e hapur, shpresojmë që këto takime të realizohen me stinën e re, që fillon në shtator”, - nënvizoi numri një i grupit parlamentar të LSI-së. Pak para se të mbaronte sesioni parlamentar, LSI-ja kërkoi nga PS-ja që të zhvilloheshin takime mes përfaqësuesve të tyre për reformën zgjedhore. Fillimisht u ra dakord për vendin dhe orën e takimit, por sipas përfaqësuesve të LSI-së që janë mandatuar për të bërë këto takime u lajmëruan nga ana e përfaqësuesve të PS-së se takimi nuk mund të zhvillohej sepse mungonte sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa. Më pas, LSI-ja përsëriti kërkesat për takime, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga ana e selisë rozë. Marrëdhënia mes dy partive është mjaft e acaruar. LSI-ja i ka intensifikuar sulmet e saj jo vetëm për partinë, por edhe për Bashkinë e Tiranës e cila drejtohet nga Edi Rama. Por pavarësisht sulmeve, kjo parti ka përsëritur herë pas here kërkesën për bashkëpunim. Nga ana tjetër, PS-ja është përgjigjur duke e bërë kreun e LSI-së, Ilir Meta, pjesë të politikës së vjetër dhe se gjithë politika që ai ndjek është për ambicie personale.