The Times, në Siri janë përdorur armë kimike
Në një raport anonim britanik pranohet se janë gjetur gjurmë të armëve kimike gjatë konfliktit
Gjenden prova të përdorimit të armëve kimike në Siri, por mbetet ende mister nëse janë përdorur nga presidenti Bashar al-Assad apo kundërshtarët e regjimit të tij. Sipas gazetës britanike The Times, falë një pune të forcave speciale britanike, tashmë mund të pohohet se në betejat e zhvilluara në Siri janë përdorur armë kimike. Prej disa muajsh qarkullonin dyshime se britanikët, amerikanët, izraelitët dhe francezët vëzhgonin nga afër këto armë, tepër të rrezikshme. Thuhej se në rast se do të përdoreshin nga forcat e Assad, pashmangshmërisht do të krijohej një vijë e kuqe që do të justifikonte ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Tashmë, megjithëse ka ende gjëra për tu verifikuar, janë grumbulluar prova bindëse për përdorimin e armatimeve të ndaluara.
Disa gazetarë britanikë kanë arritur të hedhin dritë mbi çështjen e këtyre armatimeve. E përditshmja britanike, sot ka cituar disa burime nga Ministria e Mbrojtjes që pohojnë se disa kampione të marra nga Siria janë analizuar në Angli, nga ku ka rezultuar prania e përbërjeve kimike në armët e përdorura në dyluftime. Duke cituar një burim britanik, The Times shpjegon se disa tipe armësh kimike janë përdorur gjatë përplasjes me armë, por është e pamundur të përcaktohet se nga cila palë janë përdorur: nga forcat qeveritare të presidentit Bashar al-Assad apo nga ana e rebelëve. Ndërkohë është përjashtuar, mundësia që të jenë përdorur substanca kimike për të kontrolluar përplasjet.
Përdorimi i armëve kimike në Siri është paralajmëruar edhe nga agjencia e lajmeve AFP që duke cituar një diplomat perëndimor ka thënë se: Ka prova mjaftueshëm të sigurta që janë përdorur armë kimike, por ndoshta në mënyrë sporadike.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, ditën e hënë deklaroi se një skuadër e instruktuar për të denoncuar praninë e armëve kimike mund të krijohej brenda 24 orësh dhe ftoi qeverinë siriane ti hapte rrugë investigimit.
Damasku uronte nisjen e një misioni të OKB-së por regjimi ndërroi menjëherë ide përballë këmbënguljes së Francës dhe Britanisë së Madhe që kërkonte që fusha investigative të shtrihej në të gjithë Sirinë. Nga ana tjetër, Moska vazhdon të mbështesë Sirinë, megjithatë perëndimorët duken të vendosur të shkojnë deri në fund kësaj çështjeje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, duke ndërhyrë në këtë temë ka deklaruar se: Përdorimi i armëve kimike është absolutisht i ndaluar, krejtësisht i papranueshëm, prandaj nëse kryhet ky gabim, do të ketë pasoja për të cilat Assad do të vlerësohet si përgjegjës.
Ndërkohë në terren vijojnë luftimet, ku kryeqendra mbetet sërish Alepo, qyteti verior i Sirisë që prej gati një viti është shndërruar në shesh-beteje për kontroll mes forcave të regjimit dhe luftëtarëve të opozitës.
Numri i të zhvendosurve nga konflikti ka arritur mbi 2 milionë persona, pjesa më e madhe e të cilëve është zhvendosur brenda Sirisë, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në kampe në Turqi, Irak, Liban, Jordani dhe Egjipt.
The Times, në Siri janë përdorur armë kimike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email