The Washington Post: BE si ish-Jugosllavia
Kohë më parë, edhe Jugosllavia ishte një konfederatë, ku dukej e pamundur çfarëdolloj lufte, që kishte valutën e saj, brenda së cilës ekzistonte lëvizja e lirë e kapitalit dhe e punës. Megjithatë, të gjithë e dimë se ajo u shpërbë në gjak, thekson gazetari Charles, Lane, teksa krahason krizën aktuale në BE me atë në Jugosllavinë e dikurshme.
Gazeta amerikane `The Washington Post` të martën publikoi një editorial, në të cilin krizën aktuale në Bashkimin Evropian e krahasonte me situatën e dikurshme në ish-Jugosllavi.
Në editorialin e titulluar “Yugoslavia`s Lessons for Europe`s Disunion” (Mësimet nga Jugosllavia për Mosmarrëveshjet Evropiane), gazetari amerikan, Charles Lane, sqaron se edhe Jugosllavia ishte një konfederatë, e cila premtonte se përgjithmonë do të parandalonte çfarëdolloj lufte që do të mund t`i ndante popujt përbërës të saj.
“Nëpërmjet përkrahjes së paqes, barazisë dhe të drejtave të njeriut, konfederata ofronte një `mënyrë të tretë` [zhvillimi] - diçka mes kapitalizmit të stilit të egër amerikan dhe planifikimit të centralizuar dhe joefikas ”, sqaron Lane në fillim të shkrimit të tij.
Veç kësaj, thekson Lane, edhe Jugosllavia angazhohej për një valutë të përbashkët, dhe për lëvizjen e lirë të punës dhe të kapitalit.
“Jugosllavia u shpërbë në vitin 1992, ndërkohë që konfliktet e armatosura që shpërthyen asokohe ishin edhe më të përgjakshme sesa ato të Luftës së Dytë Botërore”, shkruan gazetari i `The Washington Post`.
Me tej, Lane në artikull shton edhe atë se, në Evropë nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë ekonomike dhe financiare, por edhe për çështjen se a është e mundur që, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, të ketë ndonjë shtet evropian që do të arrijë të mbijetojë.
Gazetari amerikan i nënvizon edhe atë se, është një fakt i pamohueshëm që “dora e hekurt” e ish-presidentit jugosllav, Josip Broz Tito, ishte ajo që e mbante të bashkuar gjithë Jugosllavinë, njësoj siç është fakt se, pas vdekjes së tij gjithçka filloi te merrte fundin.
Rrjedhimisht, gazetari i `The Washington Post` vlerëson se, edhe një Evropë e ardhshme e bashkuar do të ketë edhe më tepër konflikte të brendshme, sepse ajo do të jetë edhe më pak demokratike dhe më e centralizuar.