Çka presim nga misioni EULEX?!
Para së gjithash, e keqja më e madhe konsiston në faktin se ne populli i Kosovës, me gëzim presim instalimin EULEX-it në vend, edhe pse vendosja e tij, gjithsesi nënkupton varësi të re, së paku edhe për një kohë. Mirëpo, a jemi ne qytetarët e rëndomtë fajtorë pse i gëzohemi ardhjes së këtij misioni? Jo. Njëmijë herë, jo. Fajtorë për këtë është situata aspak stabile në të gjitha veprimtaritë, si ato politike e shoqërore, sociale e ekonomike me të cilat ballafaqohet vendi ynë. Prandaj, ky vend në njërën ose mënyrën tjetër duhet vënë në binar, përndryshe do jemi të dënuar të vuajmë këtë sistem të dështuar qeverisës edhe për shumë kohë. Është koha për ndryshime, nëse sot jo, kur... Gjithsesi, përkundër vlerave të pakontestueshme që ngërthen në vete kryeministri Thaçi, ajo çka ky i fundit tha në takimin me përfaqësuesin e EULEX-it Yves De Kermabon, nuk qëndron fare. Pra, Thaçi në atë takim përveç tjerash tha edhe se: “Qeveria do t’i shpallë luftë të pa kompromis korrupsionit”. Fatkeqësisht e vërteta qëndron ndryshe. Nuk them se kryeministri ynë nuk ka vullnetin që në Kosovë të vendosë rend e ligj, (mendoj se kryeministrit tonë i vinë presione nga shumë drejtime, ngase nëse flasim për kryeministrin si individ, aspak nuk dyshoj në personalitetin e tij, mbase koha do të dëshmojë shumë gjëra!) por është i pamohueshëm fakti se kësaj “lufte” për të cilën bënte fjalë Thaçi, nuk i janë parë në asnjë kohë e në asnjë rrethanë shkëndijat e saj. Kjo luftë më shumë ka qenë deklarative sesa konkretisht është vepruar diçka. Nga këto që dëgjova në media nga ky takim, e fitova përshtypjen se unë nuk e kam idenë, se si duhet kuptuar fjalën korrupsion, ky term shumë i përdorur në shoqërinë tonë, m’u duk i huaj i padëgjuar më parë. Mbase kam të drejtë, unë edhe qytetarët e vendit tim nuk e dimë domethënien e fjalës korrupsion. Këtë ma vërtetoi kryeministri i vendit. Qeveria e Kosovës (kjo nuk nënkupton vetëm kryeministrin!) nëse gjithçka ka prioritet; luftimin e korrupsionit e ka më së paku, për të mos thënë se ky i fundit nuk hyn në prioritetet e qeverisë aktuale. Para ca dite u arrestuan disa individë siç u tha për shkak të keqpërdorimit të punës zyrtare. Kam përshtypjen se ky veprim bëhet vetëm sa “për sy e faqe”, se unë nuk e di të jetë dënuar dikush për keqpërdorim të detyrës zyrtare, apo më drejt, për keqpërdorim të thesarit të shtetit. Kështu nuk luftohet korrupsioni kështu stimulohet korrupsioni, apo mbase nuk kam të drejtë. Duke marrë për bazë këto e të tjera për të cilat folëm më lart, presim nga EULEX-i që së pari të bëjë reforma në drejtësi, ngase në vendin tim vetëm një njëri në gjendje transi mund të pohojë se ka prokurorë e gjyqtarë, sistem të pavarur gjyqësor në përgjithësi. Nuk është vetëm kjo pika në të cilën duhet urgjentisht të ndërmerret diçka, ka shumë e shumë pika në të cilat do të ishte mirë të përqendrohej ky mision ndërkombëtar. Meqenëse Kushtetua e Kosovës është kryekëput jofunksionale, pra nuk bëhet fjalë për shtrirje në tërë territorin e Kosovës siç u premtua njëherë e dikur, do të ishte e udhës që ndër prioritete të këtij misioni të futej edhe çështja e administrimit, sidomos të komunave serbe të cilat përgjithësisht janë jashtë çdo kontrolli të pushtetit qendror. Për të mos e zgjatur edhe më, e duke e marrë për bazë këtë e shumë të tjera fakte si këto, ne dëshirojmë që ky mision të na marrë me vete në Europë, ngase të vetëm vështirë se do e gjejmë rrugën për atje!