Abuzimet me pronat, rritet numri i denoncuesve në prokurori
Hetimet
Prokuroria e Tiranës konfirmon se në kallëzimet që vetë qytetarët kanë paraqitur në këtë institucion, por edhe në materialet denoncuese të ardhura nga policia, janë gjetur elementë të veprës penale të falsifikimit, shpërdorimit të detyrës dhe veprimeve të tjera të paligjshme nga krerët dhe ish-krerët e komunave. Abuzimet e pretenduara në kallëzimet penale mendohet se kanë ndodhur gjatë katër viteve të fundit. Banorët e komunave Farkë, Dajt dhe Petrelë, bashkë me kallëzimet kanë paraqitur në Prokurori edhe dokumentet origjinale të pronësisë mbi troje dhe prona të tëra, të cilat janë hedhur në emër të personave të tjerë përmes falsifikimeve nga drejtues aktualë, apo nga ish-krerët e komunave. Dosja e abuzimit me pronat në zonat periferike të Tiranës deri më tani ka 11 emra konkretë të dyshuarish për veprime të kundërligjshme. Hetuesit nuk përjashtojnë se ndaj këtyre personave do të ketë masa, menjëherë sapo të përfundojë verifikimi i plotë i të gjitha kallëzimeve të mbërritura në prokurori. Organi i akuzës aktualisht është duke ekspertuar në mënyrë shkencore të gjitha dokumentet, përmes të cilave janë bërë mbivendosjet dhe vjedhja e sipërfaqeve të tokës. Sipas verifikimeve të bëra deri më tani, më problematike paraqitet komuna e Dajtit, më pas ajo e Farkës, ndërsa ka pasur abuzime edhe në komunën e Petrelës. Oficerët e grupit hetimor kanë marrë deklarime dhe të dhëna shtesë nga disa prej personave që janë paraqitur për të denoncuar skandalin me pronat në komunat periferike të Tiranës. Denoncuesit pretendojnë se krerët dhe ish-krerët e komunave, kanë ligjëruar falsifikimet e mbivendosjet për përfitime ryshfetesh personale nga pronarët “falsë” të trojeve, që në shumicën e rasteve janë përdorur për investime.
Precedenti
Hetimet për abuzimet me pronat nisën disa muaj më parë me prangosjen e disa prej ish-kryekomunarëve të Kasharit, për t’u shtrirë pastaj edhe me komunat e tjera të kryeqytetit, ky dyshohet se është kryer një masakër e vërtetë. Abuzimet me pronat në komunën e Kasharit çuan në prangat e policisë pak muaj më parë disa prej ish-kryekomunarëve dhe punonjësve të kësaj komune. Kështu, gjatë operacionit të koduar “Kashari”, në dhjetor të vitit të kaluar u prangosën kryetari aktual i komunës së Kasharit, 33 vjeçari Alfred Sulaj. Ndërkohë, përveç tij u arrestuan edhe dy paraardhësit e tij, Naim Karaj dhe Faik Fejza, ish-kryetarë të komunës së Kasharit për vitet 2000-2003 dhe 2003-2007. Bashkë me ta u prangosën edhe ish-kryeplaku i kësaj komune, 65 vjeçari Islam Shera, ish-përgjegjësi i zyrës së Kadastrës, 51 vjeçari Shefqet Alikaj si dhe dy banorët e kësaj komune, Ismail Sulaj dhe Xhevair Hyka. Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv nga të zgjedhurit vendor”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Sipas hetimeve të prokurorisë, ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës në komunën e Kasharit dhe kanë pajisur me vërtetim pronësie persona jo banorë të kësaj komune, kundrejt përfitimeve në shuma të mëdha. Midis personave që kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme në komunën e Kasharit, sipas hetimeve rezulton se kanë përfituar edhe të afërm dhe miq të të prangosurve.