Rama refuzon kushtet e LSI: Nuk do ta bojkotojmë Kuvendin
Beteja për protagonizmin opozitar
Lufta kundër Berishës, nëpërmjet deklaratave mediatike, nuk do t’i shërbejë as zbardhjes së Gërdecit dhe as nevojave të qytetarëve të Shqipërisë, por vetëm interesave të LSI. Ky është thelbi i deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili refuzoi dje kushtet e kryetarit të LSI-së Ilir Meta, për një bashkëpunim ndërmjet partive që drejtojnë. Meta i kishte kërkuar Ramës ndër të tjera që të bashkohen për të rrëzuar Berishën nga posti i kryeministrit dhe njëhersh të bojkotohej Kuvendi. Këto dy kushte nuk janë pranuar nga Edi Rama, i cili e quajti këtë qëndrim me këto kërkesa, politikë të vjetër, e cila nuk i shërben interesave të vendit, por vetëm interesave të partive të veçanta, të cilat i vendosin këto kushte. Menjëherë pas Ramës ka reaguar kryetari i LSI-së Iloir Meta, i cili u shpreh: “Të unifikojmë qëndrimin opozitar për të imponuar dorëheqjen e Sali Berishës. Sot është momenti të luajmë rolin opozitar, jo nesër. Sot duhet të imponojmë në parlament dhe jashtë parlamentit dorëheqjen e Berishës”, u shpreh Meta
Vdekja e Kosta Trebickës dëshmitarit të çështjes Gërdeci, ka sjellë në vëmendje tragjedinë e Gërdecit bashkë me përpjekjet e partive për të fituar kredo politike dhe për të tërhequr sa më shumë elektorat, duke lënë pas disa detaje të rëndësishme të funksionimit të një shteti demokratik. Për këtë çështje, kryetari i PS-së Edi Rama, ka refuzuar dje të gjitha qëndrimet që bien ndesh me mbështetjen që partia Socialiste ka vendosur të japë për Prokurorinë e Përgjithshme deri në zbardhjen e të vërtetës për Gërdecin dhe Trebickën. Sipas këndvështrimit të kreut të PS-së dhe drejtuesve të tjerë të kësaj partie, kërkesa për dorëheqje të Berishës dhe bojkoti parlamentar nuk i shërbejnë synimit për zbardhjen e Gërdecit, pasi gjithçka do të degjeneronte në luftë mediatike ndaj Berishës duke lënë pas dore thelbin e problemit, pikërisht misionin që ka aktualisht prokuroria, zbardhjen e çështjes Gërdeci dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat u nda nga jeta pak ditë më parë Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit. Rama tha dje se Partia Socialiste është e vendosur të mbështesë Prokurorinë e Përgjithshme në këto dy çështje deri në zbardhjen e plotë të saj. E kundërta sipas Ramës do të kontribuojë në pengesën ndaj prokurorisë për zbardhjen e Gërdecit por edhe të çështjes Trebicka.
Deklarata e Ramës
“Tragjedia e Gërdecit nuk zbardhet duke vënë interesat vetjake e partiake mbi nevojën e të gjithë qytetarëve të këtij vendi për të vërtetën e shqiptuar nga drejtësia.
As drama e përditshme e keqqeverisjes së Sali Berishës nuk mbaron, përkundrazi thellohet, duke dalë nga parlamenti dhe duke lënë detyrimet tona ndaj Shqipërisë e ndaj familjes euroatlantike në atë sallë. Mbi kraterin e tragjedisë që mori 26 jetë, dërrmoi qindra familje dhe shkatërroi mbi njëmijë shtëpi ne nuk kemi ngulur e as do të ngulim flamujt e interesave partiake. Zbardhja e asaj të vërtete është për ne guri i themelit të një Shqipërie tjetër, ku politika ndahet përfundimisht nga drejtësia dhe ku pushtetari më i lartë e qytetari më i thjeshtë janë njësoj të barabartë para ligjit, para prokurorit, para gjykatësit.
Unë u kërkova dhe u kërkoj të gjithë përfaqësuesve të forcave të përgjegjshme politike në vend, të punojmë së bashku në këto orë të vështira për Shqipërinë duke i shërbyer ndriçimit të së vërtetës tragjike pa lejuar që edhe kjo tragjedi të mbulohet nga tymi i luftës për interesa partiake e personale si të tjera tragjedi në të shkuarën.
Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të funeraleve të viktimave të Gërdecit dhe duhet të kishte shkuar në prokurori me këmbët e tij për të mos e mbajtur peng hetimin me duart e pushtetit. Por ne s'mund të mbetemi peng tek kërkesa për dorëheqjen e tij e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional, të cilin gjithnjë e ndez politika e interesave personale e partiake dhe e paguan Shqipëria, e paguajnë familjet shqiptare, e paguajnë fëmijët e Shqipërisë. Unë u kërkova të pranishmëve në takim që të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për ta zmbrapsur tentativën kryeministrore të vënies së prokurorëve nën trysninë e pushtetit, jo vetëm duke i refuzuar të gjitha ndryshimet e patolerueshme që Sali Berisha kërkon të bëjë në Ligjin për Prokurorinë, po duke imponuar një alternativë që të ketë pëlqimin e prokurorëve dhe të rrisë pavarësinë e të forcojë efektshmërinë e organit të akuzës. Partia Socialiste i dha kryeministrit Sali Berisha 30 ditë afat dhe sot kanë mbetur 28 ditë për të sanksionuar në ligj ndarjen e qartë, të prerë, pa shteg për ekuivokë, të pushtetit politik nga prokuroria.
Ky është detyrimi ynë për ta mbështetur prokurorinë jo vetëm me fjalime, po me një akt konkret të vullnetit të përfaqësuesve të popullit në parlament, në shërbim të drejtësisë e në funksion të detyrimeve tona të pashmangshme ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe familjes euroatlantike. Ky qëndrim diktohet nga momenti i vështirë ku ndodhet vendi e nga nevoja e madhe e njerëzve të këtij vendi për një prokurori të patrazuar dhe të patrazueshme në misionin e saj historik për t'i dhënë përgjigje pyetjeve tejet shqetësuese mbi shkaqet e shkaktarët e shpërthimit vrastar të Gërdecit, mbi shkallën e përfshirjes së kryeministrit, të qeverisë së tij e të njerëzve rrotull tij në këtë tragjedi, si edhe mbi një sërë dyshimesh të tjera që lidhen me atë masakër. Kush tjetër përveç nesh dhe ku tjetër përveçse në parlament ne mund e duhet të garantojmë edhe buxhetin për hetimet e Gërdecit, që është kërkuar ka kohë nga Prokurorja e Përgjithshme, dhe ende nuk është dhënë nga qeveria e të vetëquajturit “Sali Bollëku”? Bollëkut të pisllëkut keqqeverisës të këtij vendi opozita nuk duhet t'i shtojë ulërimat e një lufte të vjetër politike dhe as bollëkun e interesave personale, klanore e partiake për pushtet në këtë krah të politikës.
Ne, socialistët e progresistët, kemi qenë e do të jemi çdo ditë e më tepër zëri i interesave të vendit e të njerëzve. Edhe manifestimi qytetar i së premtes pasdite, në emër të këtyre interesave po organizohet dhe këto interesa do të dëshmojë, pa u kthyer në një shfaqje flamujsh e interesash të pjesshme partiake. Ne sot ndjejmë më shumë se asnjëherë peshën e misionit tonë për të përgatitur ndryshimin e madh të Shqipërisë në vitin 2009, duke i dhënë zë miliona njerëzve që nuk kanë mikrofon e kamera përpara, që mezi arrijnë fundin e muajit e mezi rrisin fëmijët e tyre dhe mezi presin të shpëtojnë jo vetëm nga Sali Berisha, po edhe nga politika e vjetër e konflikteve, sherreve, dasive për interesa që pak kanë të bëjnë me interesat e tyre. Vlerësimi im për takimin e sotëm është pozitiv dhe po e mbyll aty ku e mbylla edhe komunikimin me miqtë e mbledhur sot paradite: Pa përjashtuar asnjë formë demokratike të opozitarizmit, ne nuk do të mungojmë asnjë ditë në sallën e parlamentit për të mbrojtur Shqipërinë që kërkon drejtësi, siguri, shtet.
Reagimi i Metës
“Takimi u zhvillua, në përgjithësi nën një frymë shumë konstruktive. Arsyeja ime e daljes është shumë personale, pasi babai im ka pasur një ndërhyrje shëndetësore.
Ajo që mund t’ju them dhe që i deklarova edhe kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Rama, i cili na kishte ftuar, edhe kolegëve të tjerë, është se ne jemi 100 për qind të vendosur që prioritet kryesor i opozitës sot, për të zhbllokuar këtë krizë të rëndë, jo vetëm institucionale, por edhe besimi pas tragjedisë së Gërdecit dhe pas humbjes së jetës së dëshmitarit kryesor të kësaj afere, dhe pas gjithë përpjekjeve të Berishës që nga 21 prilli e në vijim për të kontrolluar drejtësinë e gjyqësorin, e për të penguar këto hetime, që të investohemi për të imponuar dorëheqjen e kryeministrit aktual, Sali Berisha. Kjo është e vetmja mënyrë për të çliruar drejtësinë nga presioni, për të pasur hetime të sigurta dhe të pavarura për Gërdecin, gjë që është kthyer në një test kryesor, jo vetëm për të ardhmen e shtetit ligjor në Shqipëri dhe të integrimit tonë në NATO e në Bashkimin Evropian. Dhe, në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm për të investuar të gjitha energjitë dhe kontributet tona, si në Parlament, edhe jashtë Parlamentit, në mënyrë demokratike. Sepse, ne ndajmë bindjen e palëkundur si Lëvizje Socialiste për Integrim se vetëm imponimi, jo kërkesa për dorëheqje e Sali Berishës, mund të çlirojë drejtësinë nga trysnia e jashtëzakonshme e tij, mund të japë perspektivë e shpresë për qytetarët shqiptarë, se do të ketë drejtësi dhe për Gërdecin, por dhe se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
Është më se e qartë se nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme e të lira me Sali Berishën, që jo vetëm ka vonuar bërjen e Kodit Zgjedhor deri tani, por njëkohësisht, që nuk garanton që shqiptarët të kenë karta identiteti për zgjedhjet e ardhshme.
Çdo eksperimentim i mëtejshëm me Berishën kryeministër, jo vetëm që do të dështojë më tej sistemin tonë demokratik në vend, jo vetëm që do të dhunojë çdo ditë e më shumë pavarësinë e Prokurorisë dhe të gjyqësorit, por edhe do të pakësojë shanset dhe mundësitë që shqiptarët të kenë zgjedhje të ndershme e të lira.”