E Diel, 1 Nëntor 2026

“Thellim të marrëdhënieve tregtare me Bosnje-Hercegovinën”

15-12-2011 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli takon homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Denis Becirovic

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi dje se Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, nuk kanë asnjë problem midis njëra-tjetrës. Në takimin e zhvilluar në Tiranë, kryeparlamentarja u shpreh se, “si dy kryetar parlamentesh respektive dhe në interesin e përbashkët të dy vendeve, ne do përpiqemi që t’i nxisim dhe t’i inkurajojmë më tej këto raporte të mira që të kenë një përgjigje pozitive, konkrete në volumin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona. Kjo është në interesin tonë të përbashkët”.
Sipas saj, në kohën kur bota po përballet me një krizë globale të rëndë, duhet një bashkëpunim më i ngushtë, më efektiv, më efikas dhe me terma konkret në fushën e ekonomisë, në fushën e infrastrukturës, në fushën e turizmit, në të gjitha fushat e interesit reciprok.
Nga ana e tij Beciroviç tha se, “Unë bisedova dhe me Kryeministrin në një takim sot në mëngjes, që të hapim një linjë direkte ajrore nga Sarajeva në Tiranë. Ky do të ishte një kontribut për komunikimin, jo thjesht mes politikanëve dhe biznesmenëve por edhe përsa i përket fushës së turizmit”. Ai shtoi se në muajt në vijim, do bëhet një prezantim i potencialeve turistike të Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, në interes të personave të angazhuar në fushën e turizmit, qytetarëve dhe biznesmenëve. Sakaq kryeparlamentari i Bosnje-Hercegovinës theksoi se, një urë lidhëse shumë e rëndësishme midis dy vendeve janë dhe minoritetet etnike, nga vendet reciproke, ato shqiptare në Bosnje Hercegovinë dhe ato boshnjake në Shqipëri, ku kërkoi që minoriteti boshnjak të njihet zyrtarisht ashtu sikurse është njohur në Bosnje Hercegovinë minoriteti shqiptar.
Edhe Kryeministri Sali Berisha e priti kryesuesin e Dhomës së Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës/Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në takimin e zhvilluar me kryesuesin e Dhomës së Parlamentit të Bosnje – Hercegovinës, Denis Becirovic se “projekti i përbashkët i vendeve të rajonit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është dhe mbetet e ardhmja më e mirë e sigurisë dhe mirëqenies së popujve të rajonit”.
Kryeministri vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme, pasi do të sjellë një kontribut të ri në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mirë dhe në konsolidimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Gjithashtu, Berisha e siguroi Bećirović se Shqipëria do të vijojë të mbështesë aspiratën dhe të gjitha përpjekjet e Bosnje - Hercegovinës për anëtarësim në NATO. Kryesuesi i Dhomës së Parlamentit të Bosnje - Hercegovinës, Denis Bećirović, i bëri me dije Kryeministrit Berisha se, qëllimi i vizitës së tij është jo vetëm një rikonfirmim i marrëdhënieve shumë të mira dhe i vullnetit të të dy vendeve për t’i zgjeruar edhe më tej ato në të ardhmen, por dhe shprehje e angazhimit të dy vendeve për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në mënyrë të veçantë atij ekonomik.
Ndaj, gjatë kësaj vizite, delegacioni zyrtar i kryesuar nga Denis Bećirović shoqërohet edhe nga një grup i zgjeruar biznesmenësh dhe përfaqësues interesash ekonomik të Bosnje - Hercegovinës. Bećirović shprehu vlerësim për transformimin rrënjësor që ka pësuar Shqipëria në të gjitha fushat gjatë viteve të fundit, si dhe arritjet e mëdha, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe avancimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në takim u evidentuan si fusha me interes për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh ajo e prodhimit të energjisë hidrike, sektori i industrisë minerare, fusha e turizmit, por edhe sektorët e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, shkëmbimet kulturore, etj. Në këtë kontekst, u shpreh vlerësimi për një sërë marrëveshjesh dypalëshe që janë nënshkruar midis dy vendeve, si dhe angazhimi i dy vendeve për të kompletuar kuadrin ligjor, i cili do të lehtësojë dhe promovojë këtë bashkëpunim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›