E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundër Leskajt për kreun e KLSH-së

14/12/2011  Deputetët diskutojnë me dyer të mbyllura vendimin politik

Partia Socialiste do të votojë kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një vendim i tillë u bë dje publik nga vetë kreu socialist Edi Rama. Duke folur përpara deputetëve të PS-së në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar socialist, Rama shprehu qartë se vota e këtij grupimi do të jetë kundër dekretit të Presidentit Bamir Topi. Ndërkohë që një vendim i tillë, i bërë publik përpara mbledhjes me dyer të mbyllura, është diskutuar dhe në vijim në këtë takim. Mësohet se kreu socialist ka kërkuar nga ligjvënësit e PS-së të respektojnë një vendim të tillë, duke votuar në unanim kundër kandidaturës së Leskajt. Madje, në këtë pikë lidershipi socialist ka kërkuar që gjatë votimit në Kuvend të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, duke mos pasur asnjë mungesë. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme në komisionin e Ekonomisë do të zhvillohet seanca dëgjimore me Leskaj. Gjithashtu, qëndrim i unifikuar është kërkuar dhe për çështje të tjera, që janë në rend ditë në Kuvend. Burime pranë takimit konfirmuan se në takimin me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së është rënë dakord që përpara marrjes së një vendimi politik për çështjet në diskutim, do të hidhet në votim nëse deputetët do të jenë pro apo kundër asaj çështjeje, e më pas të dilet me një vendim përfundimtar, i cili duhet të respektohet nga i gjithë grupi kuvendor socialist. Po kështu, gjatë mbledhjes është diskutuar dhe mbi privatizimin e “Alpetrol”. Deputetët socialistë kanë përcaktuar piketat dhe emrat përkatës ku do të përqendrohet oponenca gjatë diskutimeve në Kuvend mbi një projektligj të tillë, i cili do të kundërshtohet me forcë nga grupi parlamentar i PS-së. Deputetët kanë diskutuar dhe për çështje të tjera që janë pjesë e punimeve parlamentare. Konkretisht në mbledhjen e grupit të PS-së është diskutur dhe mbi projektligjin për “Noterët” dhe për projektligjin për “Uljen e taksës për qepujkën”. Kështu, mësohet se dhe për këto dy projektligje grupi parlamentar i PS-së do të votojë kundër tyre. Në vlerësimin e tyre, si privatizimi i “Alpetrol” ashtu dhe këto dy projektligje kanë si qëllim favorizimin e personave pranë pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›