“Thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, kryefjala e vendeve të Ballkanit”

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta merr mesazhe urimi
TIRANE – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta ka marrë disa mesazhe urimi për zgjedhjen e tij në këtë post, nga homologë të vendeve të ndryshme.
Meta ka marrë mesazhe nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, nga ai i Malit të Zi, Milan Roćen, dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoğlu.
Ministri kosovar, Hyseni, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, por edhe dy institucioneve, shpreh bindjen se “ato do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej gjatë mandatit tuaj”.
“E ardhmja e përbashkët e dy vendeve tona janë integrimet evropiane”, thuhet në mesazhin që Hyseni i dërgon Metës.
Ministri i Jashtëm kosovar vlerëson se kontributi dypalësh i institucioneve të dy vendeve do të bëjë një hap përpara në integrimet ndërshqiptare, ndërkohë që do të afrojë Kosovën dhe Shqipërinë me familjen e madhe të kombeve euro-atlantike.
Hyseni siguron përkushtimin e tij personal dhe atë të institucioneve të Republikës së Kosovës për të punuar së bashku për stabilitetin, paqen, por edhe të ardhmen evropiane të dy vendeve tona.
Ndërsa ministri i Jashtëm malazez, Milan Roćen shpreh gatishmërinë e tij për të punuar bashkërisht në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë, miqësinë tradicionale, respektin dhe konsideratat e ndërsjella.
“Lidhjet e fuqishme ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona përforcohen më tej dhe nga objektivat tona të përbashkëta evropiane dhe euro-atlantike në të mirë të të dy vendeve dhe rajonit në tërësi”, vijon Roćen, i cili e fton homologun e tij për një vizitë zyrtare në shtetin fqinj.
Besim për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë shpreh në mesazhin e tij ministri i Jashtëm turk, Davutoğlu.
“Kam besim se gjatë mandatit tuaj, ne do të kemi rastin të forcojmë më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që fatmirësisht ekzistojnë në çdo fushë ndërmjet dy vendeve tona dhe do të kontribuojmë në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tone”, thekson ai.