E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellimi i krizës politike riaktivizon ambasadorët në Tiranë

Situata Diplomatët e vendeve anëtare, konsultim me njëri-tjetrin mbi gjetjen e mënyrës së negocimit

Kriza politike shqiptare mban në alarm komunitetin ndërkombëtar, i cili në reagimet e para ka bërë thirrje për ndalimin e konfrontimit politik. Por as mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit në Bruksel nuk ka arritur të japë një zgjidhje të situatës, ndaj kancelaritë perëndimore vazhdojnë të punojnë intensivisht për të negociuar mes aktorëve politikë shqiptarë. Gjatë ditës së djeshme, në selinë e Komisionit Europian në Tiranë është zhvilluar një takim i ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, që janë akredituar në kryeqytetin shqiptar. Takimi është drejtuar nga ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, i cili përfaqëson presidencën e Bashkimit Europian. Burime diplomatike bënë të ditur se në këtë takim është diskutuar mbi mënyrat e ndërhyrjes apo ndihmës që komuniteti ndërkombëtar mund të japë në situatën aktuale. Nga ana tjetër mësohet se Brukseli zyrtar ka kërkuar një material të plotë mbi situatën e fundit në Shqipëri, pikërisht nga selitë diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri. Mësohet se një nga qëllimet e këtij takimi, përveç koordinimit, ka qenë edhe gjetja e një mënyre që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë me mjete diplomatike për të ndihmuar që politika shqiptare të shmangë konfliktin që dita ditës po acarohet edhe më shumë. Mbledhja e djeshme ka zgjatur disa orë, por nuk është dhënë asnjë informacion mbi këtë takim, pasi ai është zhvilluar jo me qëllimin e hartimit të një deklarate, por për të biseduar mbi zgjidhjen. Nuk ka pasur asnjë koment si nga Presidenca e BE-së në Tiranë, ashtu edhe nga Delegacioni i Komisionit Europian. Ditët e ardhshme pritet të zbardhet më shumë mbledhja e ambasadorëve të BE-së, kur do të konkretizohen edhe aksionet diplomatike. Një sinjal i rëndësishëm politik në lidhje me deklaratat nga Brukseli të Komisionerit Stefan Fule, dy ditë më parë, ka qenë edhe moskomentimi nga krerët e lartë politikë, të cilët kanë qenë edhe pjesëmarrësit direkt të bisedimeve me kreun e lartë të ekzekutivit të Bashkimit Europian. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, si dhe me liderin e opozitës, Edi Rama.

Takimi i 11 majit

Ndërkaq, sekretaria e Këshillit të BE-së ka publikuar në faqen e tij kalendarin e zhvillimit të takimit tjetër të rëndësishëm në Bruksel me objekt Shqipërinë. Kështu, më 11 maj në orën 15:00 do të zhvillohet takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Në këtë mbledhje, pritet që të jetë Komisioneri Fule; një zyrtar i Zyrës së Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, baroneshës Ashton dhe përfaqësues nga Presidenca Spanjolle. Ndërkaq, ende nuk është shpallur delegacioni që do të përfaqësojë qeverinë shqiptare. Burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme theksuan se ende nuk janë në dijeni nëse do të jetë në delegacion zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Në këtë takim do të jepet më qartë se çfarë u dha në takimin që u zhvillua në Parlamentin Europian të hënën e të martën, qëndrimi i BE-së për zhvillimet politike dhe ecurinë që Brukseli do t’i japë përcaktojë statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ndryshe nga Parlamenti Europian, nga takimi i 11 majit do të miratohet një deklaratë e cila nuk do të jetë e përbashkët me Shqipërinë, por e përbashkët ndërmjet Këshillit të BE-së, Presidencës spanjolle dhe Komisionit Europian. Situata politike në Tiranë, e agravuar pas nisjes së grevës së urisë, ka mbetur pezull dhe nuk po i lëviz as institucionet e shtetit. Burime zyrtare bënë të ditur se ekziston edhe një mundësi që të mos zhvillohet seanca plenare e ditës së sotme, pasi ende nuk është mbledhur Konferenca e Kryetarëve për të miratuar kalendarin e punimeve, por edhe për të shmangur një përplasje në Kuvend nëse atje mund të shkojnë për të folur deputetë që ndodhen të ngujuar prej të shtunës së kaluar në grevën e urisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›