OSSH: Faturat e dritave, lexim elektronik
OSSH deklaroi dje se ka nisur zbatimi i projektit pilot në Durrës për leximin në distancë të faturave të dritave, duke shmangur në një farë mënyre rastet e abuzimit. “Lexuesi i matësit me ndihmën e një PDA-je do të jetë në gjendje të mbledhë të gjitha të dhënat e konsumatorit dhe t’i dërgojë direkt ne sistemin e faturimit, duke i siguruar kompanisë një kontroll më të mirë të procesit të faturimit. Lexuesit e matësve do të bëjnë fotografi të matësit, kështu që nuk do të ketë asnjë dyshim mbi saktësinë e procesit të leximit”, tha Aleks Konrad, drejtor i shitjeve në “CEZ Albania”. Kjo teknologji e re dhe sistem i ri do të bëjnë të mundur në të ardhmen futjen e koordinatave GPS në mënyrë që OSSH të informohet mbi vendndodhjen e konsumatorëve. Projekti i parë pilot do të zbatohet në maj në rajonin e Durrësit në rreth 2800 njësi leximi. Projekti “MyAvis” do të vazhdojë deri në 2011. Sa i takon faturave aforfe, tashmë të ndaluara me ligj nga ERE, OSSH ka dhënë aprovimin dhe gatishmërinë. “Kompania ka punuar intensivisht në këta muajt e fundit dhe ishte në gjendje të instalonte më shumë se 80000 matës totalisht të rinj tek ata klientë që nuk kishin matës apo kishin një të tillë të dëmtuar”, tha Konrad. Ndërsa për rimbursimin e faturave të abuzuara të muajit dhjetor-janar, OSSH deklaroi se procesit do të mbyllet shumë shpejt.
#