Sillet me pranga i dënuari për trafik prostitucioni
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana kreu dje rreth orës 17:30 ekstradimin nga Milano, Itali, drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Ferdinant Etemaj, 42 vjeç, lindur në Berat. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Beratit, me vendimin nr. 144, datë 04.11.2004, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 9 vjet burg, për kryerjen e veprës penale te “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 114/a , pika 1 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Shtetasi Ferdinant Etemaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 1996, ka marrë me vete në Itali shtetasen J. A., duke i premtuar martesë me vëllain e tij Edmont Etemaj. Pasi kanë mbërritur atje, dy vëllezërit kanë ushtruar dhunë fizike mbi shtetasen J.A., duke e detyruar të punojë si prostitutë në rrugët e Torinos në Itali për tre vjet. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në datën 04.11.2008, u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit, i shtetasit Ferdinant Etemaj. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
#