Financimi i shpenzimeve, fushatat luksoze bëhen pa inventarë
Në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar katër kategori, të cilave do t’u ndalohet me ligj financimi i fushatave elektorale. Kështu, kategoritë e mëposhtme janë personat juridikë apo shoqëritë tregtare që kanë qenë pjesëmarrëse në tenderët publikë gjatë një periudhe 2-4-vjeçare (mbetet për t’u përcaktuar). Lista vijon më pas me personat juridikë apo shoqëritë tregtare që rezultojnë debitorë në shtet. Kategoria e tretë është ajo e personave juridikë dhe e shoqërive tregtare që kanë përfituar nga fondet publike nëpërmjet projekteve shtetërore. Kategoria e katërt që nuk do të lejohet të financojë fushatat elektorale të partive politike janë personat juridikë dhe shoqëritë tregtare, të cilat janë aksionerë në organet e masmedias shqiptare. Kodi Zgjedhor, i miratuar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë, ka përcaktuar shumën maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në Nenin 89 të këtij kodi (pra në kategoritë që nuk lejohet financimi) dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Në Kod parashikohet gjithashtu edhe ngritja e sistemit të auditit, i cili do të auditojë financimet që përfitojnë partitë në fushatat elektorale.
Komisioni i Venecias: Kodi nuk jep asnjë garanci për zbardhjen e financimeve
Në Kodin e ri Zgjedhor financimi i partive politike premton një proces të paqartë dhe diskriminues, çka bëri që Komisioni i Venecias tre muaj më parë të kërkonte rishikim të neneve që rregullojnë financimet. Është draft-raporti provizor i këtij komisioni ai që vë në dukje ”me forcë” mangësitë në këtë drejtim, ndërsa po aq problematike shfaqen dhe të drejtat e subjekteve për të pasqyruar aktivitetin e tyre në media apo niveli profesional i komisionerëve vendorë. Lidhur me financimet, që në fillim të raportit Komisioni i Venecias vëren diskriminimin që i është bërë në dy nene shpërndarjes së fondeve publike. ”Ky kod elektoral parashikon që 50 për qind e buxhetit elektoral t’u shpërndahet partive zgjedhore, që janë të regjistruara si të tilla dhe që kanë fituar në zgjedhjet e kaluara vende në Kuvend. Shpërndarja do të bëhet në përpjesëtim të drejtë me numrin e vendeve që secila parti ka. Ndërsa 50 përqindëshi tjetër është parashikuar që t’u kalojë subjekteve zgjedhore që kanë marrë jo më pak se dy vende në zgjedhjet e kaluara. Ky tekst nënkupton se vetëm partitë parlamentare kanë akses në fondin publik për financimin e subjekteve politike konkurruese. Është i dyshimtë fakti që partitë parlamentare ia kaluan vetes së tyre gjithë fondin publik të parashikuar për zgjedhjet. Ne mendojmë se këto nene duhen amenduar për t’u dhënë akses dhe partive të vogla në këtë drejtim”, - shkruhet në raportin provizor të Komisionit të Venecias. Një pikë tjetër e kontestuar nga Komisioni i Venecias mbi financimet janë nenet 89 dhe 90 të Kodit Zgjedhor, nene të cilat rregullojnë dhe mënyrën e financimit privat nga partitë politike. Në argumentet që ky komision ngre ndaj këtyre dy neneve theksohen se partitë e mëdha kanë të gjitha mundësitë ligjore që të ushtrojnë presione administrative mbi partitë e tjera lidhur me zbardhjen e financimeve të tyre duke i kompleksuar partitë, të cilat i shohin si problematike në raport me pozicionin e tyre. ”Partitë parlamentare përfitojnë nga buxheti publik dhe janë më pak të prekura nga nenet e financimit privat sesa partitë e tjera, të cilat e kanë të vetmin burim financimi. Por këto nene mund të bëjnë që komisionerët politikë të KQZ-së, të zgjedhur nga partitë, mund të nisin hetime të thelluara për partitë që financohen nga fonde private, duke marrë në pyetje donatorët e tyre. Ka hapësira ligjore që këto hetime të bëhen të motivuara politikisht, çka i vendos në një pozitë diskriminuese partitë joparlamentare, të cilat nuk kanë akses në buxhetin publik për zgjedhjet, por në të njëjtën kohë mund të hetohen nga KQZ-ja në çdo moment për financimet që sigurojnë në rrugë private”, - theksohet në raportin e Komisionit të Venecias.
29 Korrik 2009