Islami: Nuk ka argumente që të justifikohet bojkoti i PS-së
Një nga deputetët që mendon ndryshe në Partinë Socialiste, Kastriot Islami e komenton raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në dy plane. Sipas tij, raporti thekson se zgjedhjet nuk i arritën standardet e kërkuara. “Do të thosha që ka dy mesazhe të rëndësishme në këtë raport, po të zhvishet nga gjuha, siç thashë edhe pak më sipër, e balancuar e raportit. Pasi gjithmonë edhe në të gjitha vendet ndodh që secila pjesë merr atë element dhe e thekson edhe më shumë. Mesazhi i parë është që në Shqipëri standardet nuk janë arritur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në një proces të kthimit në një vend kandidat të Bashkimit Evropian. Besoj se kjo do të përcaktojë të gjithë axhendën e bashkëveprimit me Komisionin Evropian dhe me Bashkimin Evropian për të garantuar në zgjedhjet e ardhshme zgjedhje tërësisht të lira, apo thënë ndryshe, plotësimin e të gjithë standardeve në nivelin e tyre më të lartë”, u shpreh Islami.
Duke lexuar dhe mesazhin e dytë të raportit, Islami u shpreh se bojkoti, sipas raportit është i pajustifikuar. “Mesazhi i dytë është natyrisht për të gjitha forcat politike, por në mënyrë të veçantë për opozitën, që në raport nuk ka bazë dhe element që do të justifikonin vlerësime dhe qëndrime që çojnë tek bojkoti i Parlamentit. Brenda këtyre dy kufizave, pastaj ka për përzierje progresi dhe mosarritjesh, më tepër të karakterit teknik që janë të përkthyer në rekomandime për politikën shqiptare, pra për të gjithë forcat politike shqiptare, të cilat ato duhet t’i adresojnë në Parlamentin shqiptar”, u shpreh Islami.