E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet kriza ne PS e Shkodres

Thellohet kriza në strukturat e PS-së të Shkodrës, pas mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së së rrethit Shkodër, Genc Uruçi. Sipas deputetit të PS për Shkodrën Tom Doshi, ky mocion nuk ka vlerë dhe se ngjan me fletushkat e bashkimeve profesionale të kohës së Partisë së Punës. Madje Doshi nuk nguron t’u tregojë rrugën socialistëve nismëtarë të mocionit, duke thënë se janë të lirë të shkojnë tek LSI-ja apo tek ndonjë forcë tjetër politike. Deputeti Doshi shprehet se asnjëri nga dy kryetarët e PS në Shkodër, Keti Bazhdari dhe Genc Uruçi nuk do jenë më në krye të PS-së si në qytet ashtu edhe në rreth, por sipas gjitha gjasave do merret modeli i Tiranës ku në krye të PS Shkodër do të jetë një deputet.
Asambleja e zgjeruar e PS-së Shkodër përmes një mocioni mosbesimi i ka kërkuar kryesocialisti Rama shkarkimin e kryetarit të PS-së rrethi Shkodër, Genc Uruçi i cili ka qenë njëherësh edhe kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 8 majit. Në mocion renditen arsyet për kërkesën për shkarkim, duke theksuar se Genc Uruçi në zgjedhjet e fundit ka arritur rezultatin më të dobët që ka patur PS-ja në Shkodër, që nga vitit 1991. Kriza është thelluar edhe më tej mes strukturave të PS-së në qytet dhe rrethin e Shkodrës, në përzgjedhjen e këshilltarëve bashkiake dhe të delegatëve të kongresit të fundit të PS-së, çka ka çuar edhe në këtë mocion mosbesimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›