E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të martohem: Fitorja dhe hakmarrja ime

Në adoleshencë, mësuesi i tij i të shkruarit ishte T.Landolfi, për arsyen e thjeshtë se shkrimtari ishte nga Caserta dhe shpesh firmoste ashtu. Pothuajse si ai që ndiqte liceun e Caserta-s, duke kopjuar në tregimet e tij të para si pesëmbëdhjetëvjeçar, stilin e Landolfi-t. Që nga ajo kohë, Roberto Saviano, që sapo ka botuar librin e dytë, "La bellezza e l‘inferno" ("Bukuria dhe Ferri"), e kishte ndarë mendjen të bëhej shkrimtar, edhe pse e ëma, mësuese e kimisë, tallej me këtë ëndërr të tijën. Gjashtëmbëdhjetë vjeç pati guximin t‘i dërgonte një "pjesë" të tijën Vincenzo Consolo-s, i cili jo vetëm që iu përgjigj, por edhe deshi ta takonte. Disa vite më vonë revista "Nuovi argumenti" botonte tregimet e tij të para. Në moshë më të vonë, mjeshtrit e tij bëhen Primo Levi e pastaj Carlo Levi, po edhe polaku Gustav Herling apo edhe C.Malaparte, apo disidentët sovjetikë. Që të gjithë për të njëjtën arsye: kanë shkruar ese të romanizuar, ashtu siç ka bërë ai me "Gomorra". Kjo është gjinia që preferon, sepse tregon të vërtetën me fjalë përrallash. Saviano, autor që e kanë zili për numrin e kopjeve të shitura, për shkak se e çmojnë edhe shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe për shkak se është ftuar të flasë në Akademinë e Nobelit në Stokholm, ngandonjëherë e nxjerr kokën nga errësira ku e kanë detyruar të futet dhe, pasi të kesh kaluar nëpër kontrolle e kontrolle, mund ta takosh.

Janë tri gjërat që të prekin: zbehtësia e tij në një stinë në të cilën në Milano pothuajse të gjithë janë paksa të nxirë, çka do të thotë se ai nuk mund të shkojë në det, liqen e madje as në park; fytyra e buzëqeshur, aspak melankolike siç duket nëpër foto; dhe shfryrja e pandalshme- e kuptueshme në izolimin e tij substancial -në të folur, në të shpjeguar, në të rrëfyer. "Nuk është zili, unë e kam ndjerë urrejtjen, për fat të keq, të shkrimtarëve dhe gazetarëve, madje edhe të miqve të dikurshëm...", thotë ai. Bosët e mëdhenj, në memorialët e tyre të denoncimit e quajnë "romancieri i njohur", që do të thotë "rrenci i njohur", mbase edhe "homoseksual", fyerja më e rëndë për kamorristët. "Për t‘u mbrojtur jam bërë i keq, sepse s‘është e vërtetë se vështirësitë e përmirësojnë njeriun: përkundrazi, e përkeqësojnë, pothuajse gjithmonë, e në segregacionin tim unë jam bërë më i keq. Tani e shoh veten me një dëshirë të madhe të hakmarrjes ndaj atyre që më kanë detyruar ta bëj këtë jetë e shpesh jam aq nervoz, sa i thyej duart e mia duke i rënë murit me to. E kushedi si do të isha katandisur po të mos mund të shfryhesha duke u ushtruar me njërin nga miqtë që më mbron, boksier i dikurshëm. Jam nervoz për shkakun tim edhe për shkak të familjarëve të mi, meqë mbaj përgjegjësinë e zhvendosjes së tyre, emigrimit të tyre të dhunshëm", shprehet Saviano. Sigurisht ka fituar para, por po të mos ishte kështu, që prej kohësh do të ishte detyruar të pushonte së shkruari gjërat që shkruan, ngase s‘do të kishte mjete për t‘u mbrojtur nga akuzat që i bien në qafë nga ana e keqbërësve, Rafaele Cutolo në krye, porse, për fat, të gjitha të fituara.

"Për sa i përket vlerësimit dhe miqësisë së shkrimtarëve të mëdhenj të huaj ndaj meje, ka shumë mundësi të jem gjallë falë tyre. Sikur jashtë të mos kishin ndjekur me pasion rastin tim, kam frikë se s‘do të më kishin kushtuar vëmendje e as s‘do të më kishin mbrojtur në vendin tim. Edhe në televizion paraqitem kur më vijnë kërcënime të reja, pasi imazhi apo të qenit prezent janë një formë mbrojtjeje". Duke menduar për fatin që i ka rënë për pjesë, e pyesim nëse për Savianon ka pasur një moment ku do të kishte vendosur të merrte një rrugë normale apo një të vështirë. Përgjigjja e tij është e paqartë dhe të kujton Manzonin: ashtu siç don Abbondio nuk mund t‘i jepte guxim vetes, ndoshta ashtu edhe Saviano nuk mund t‘i fuste vetes ankthin, përderisa nuk është gjetur përballë një zgjedhje të tillë. Pastaj, ambicia e tij... "Po, një ambicie prej mëkati vdekjeprurës. Me ‘Gomorra‘-n nuk pretendoja të kisha aq sukses sa t‘i ndryshoja gjërat, t‘i zgjoja njerëzit, t‘i detyroja ta shihnin realitetin e tmerrshëm para syve të tyre". Megjithatë, ai e kupton se ka pasur një moment për të vendosur. Në fillim, atëherë kur e kishin kërcënuar për herë të parë, qeveria e Stokholmit i kishte ofruar strehim në Suedi. "...Duhet ta pranoj se s‘kam dashur të shkoj edhe për shkak të asaj ambicieje prej mëkati vdekjeprurës, që do të thotë dëshira për të mos u dorëzuara para armiqve të mi". Duke e dëgjuar të flasë, krijohet përshtypja se, edhe nëse, siç pohon vetë, vështirësitë të bëjnë më të keq, ka përfituar disa gjëra të tjera: nuk ndal së shkruari, për ballafaqimin e privilegjuar me autorët e mëdhenj të gjallë, për konsumin e dendur të letërsisë. "Është e vërtetë, më kanë hequr nga bota, po në këmbim kam gjetur një tjetër. Letërsia ka qenë dhe është një ilaç, kënaqësi, shtëpi, rikonfirmim se ekzistoj, po edhe mundësi, ndoshta e vetmja për mua, e jashtëzakonshme takimesh. Nuk po mendoj vetëm për librat dhe artikujt, po edhe për facebook-un, që është sheshi im, bari im, restoranti im, kopshti im publik dhe shëtitja ime në det...".

Si student brilant i filozofisë që ka qenë (i diplomuar për tri vite para se fakultetet të bëheshin trevjeçare), ndoshta edhe falë burgut, Saviano tashmë i ka zgjeruar interesimet e tij për historinë, jo vetëm asaj kriminale, letërsinë, jurisprudencën, teatrin, kinemanë dhe gjuhën. (...) "Dua të ndërtoj një familje dhe do t‘ia dal mbanë, pavarësisht vështirësive. Gjërat që bëjnë të dashuruarit, dalja shëtitje, marrja e një aperitivi, vizita në një muzeu, një drekë jashtë, që të gjitha këto i kam të ndalura, ama do t‘ia dal mbanë gjithsesi dhe kjo do të jetë fitorja ime. Salman Rushdie më ka paralajmëruar se duhet të gjej guximin të dal nga burgu im, përndryshe publiku do të jepet tepër pas meje dhe do të dëshirojë që unë të mbetem i ngujuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›