E Shtunë, 31 Tetor 2026

Theqafja prej krizës sonë morale

Tashmë u bë e qartë: po përjetojmë pa e ndjerë një krizë morale sa të thiktë, aq edhe absurde. Vetëm se krejt ndryshe
nga bota, kriza jonë morale nuk vjen pas krizës ekonomike, siç ndodh rëndom (“ne nuk u përfshimë nga kriza globale”, apo jo?!); madje kriza jonë nuk rrjedhon e nuk gëlon më së pari nga poshtë, prej shkapërdisjes së normave të shoqërisë, prej degradimit të vetvetishëm të vulgut, të ligjit, të mjedisit shoqëror, prej shfytyrimit e shkërbërjes së Homos Albanicus kur ky nuk gjen dot tjetër rrugë shpëtimi, veç të bjerë në anarki e në vetëgjyqësi për të mbijetuar…Mungesa e moralit buron e rrjedh përherë nga lart-poshtë: nga kanalet mediatike të qeverisë derdhet si një zift i përvëluar mbi popullin; nga institucionet e epërme shtetërore, si p.sh. Kuvendi apo organet e Drejtësisë, helmi hapërdahet te marrëdhëniet mes qytetarëve; nga përplasjet dhe konfliktet mes liderëve të karfosur të pozitë-opozitës që duan pushtet, shumëfishohet te militantët përkatës…Historikisht theqafjen tonë morale e ka pjellë dhe e mëkon qëllimisht (ose instiktivisht, kjo ka pak rëndësi!) ajo që quhet pari, drejtuesit e lartë të vendit, liderët tanë “historikë”, kryetarët e partive, të cilët besojnë e kujtojnë se vetëm duke shkaktuar herë pas here kriza morale e duke kultivuar krizën e besimit mund të përfitojnë e mbijetojnë sa më gjatë politikisht. Kjo është “mrekullia” shqiptare, kjo është ajo risi për të cilën ne “krenohemi” me budallallëk se jemi kryekrejt të ndryshëm e të mëveçëm nga bota, herë si një “shkëmb graniti” e herë si vendi që ka rritjen më të lartë ekonomike, kur mbarë bota ka rënë në krizë!
Sa herë rriten tensionet lart, nëpër rrugë, nëpër ekrane e më pas brenda familjeve nis zullumtaria e sherreve, e përplasjeve, e dhunës, e akuzave, e shpifjeve, e keqkuptimeve dhe kërcënimeve pa kuptim e pa sens…Ja, sa të hyjë dhjetori ne do të kemi një tjetër përplasje meting-antimetingesh me ulurima e brohoritma të hedhura kundër shoshoqit…Gjysma e shqiptarëve sërish do të vihet kundër gjysmës tjetër të shqiptarëve…E përse? Përse, si thosh Konica i ndjerë, ne kundërvihemi e hasmosemi kaq lehtësisht e kaq kotanisht me njëri-tjatrin, me veten, me interesat tona e rrjedhimisht më pas edhe me Shqipërinë? Ku po shkojmë kështu? Po mbushet shekulli që kemi shtet e megjithatë nuk po gjejmë dot rrugën, teksa fqinji ynë, Maqedonia, që nuk ka as emër e as flamur të njohur nga ndërkombëtarët, e ka gjetur rrugën e Evropës para nesh! Përse, pra, përse, dreqi e mori?
Nëse politika ka lindur si nevojë e domosdoshme e shoqërisë për të zgjidhur krizat, për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe konfliktet, për të shpëtuar e shëruar shoqëritë nga zezonat e pritshme morale dhe ekonomike, për të mundësuar përparimin, unitetin e ngjizjen e kombit, tek ne krerët ë lartë sa herë u jepet rasti bëjnë të pamundurën për të thelluar sa më tepër përçarjet, tensionet, konfliktet dhe krizën, herë atë ekonomike, si ndodhi me luftën e klasave, me kolektivizim-tufëzimin, e herë atë morale, sikundër po ndodh tash në këtë demokraci të deformuar që ndez e përndez qëllimisht konflikte të ndërsjella, duke e shtyrë në pafund e në absurd integrimin, vizat, harmoninë, si dhe besimin te demokracia e te shpresa për më shumë mirëqenie...
Ngjarjet e ditëve të fundit dëshmojnë më së miri këtë të vërtetë ndjellakeqe: ne na vënë kundër njëri-tjetrit për të na sunduar më lehtë. Tash edhe ata që nuk duan të kenë as sy e as veshë mund të kuptojnë se nuk mjaftuan 19 vjet në demokraci që të përfundonim në një zhgënjim ë mosbesim me ngjyra “demokratike”, faqja e pasme e së cilës qenka: të gjithë derrat paskan një turi, të gjithë ata që na kanë pas drejtuar e po na drejtojnë janë njësoj të papërgjegjshëm, njësoj të korruptuar, njësoj gojëndyrë, njësoj të paturpshëm, njësoj të pabesë, njësoj të pangopur me pushtetin e përfitimet e pamerituara!
Fjala e ububushme e Berishës në Kuvend kundër armiqve të tij nuk ishte një shpërthim as i ri dhe as i papritur. Ndaj më duket se nuk ia vlen të merresh me zbërthimin, kuptimin dhe nënkuptimin e fjalorit të tij të ndyrë e të pasosur. Në shpërthimin e tij gjithëpërfshirës kundër “kundërave” nuk ia vlen të qartësohet ku janë kufijtë e së vërtetës me ato të thashethemeve, madje as etika e as morali i personave në fjalë nuk kanë ndonjë vlerë të hulumtohen, sepse ne tashmë kemi fituar “imunitet”me sherret, u mësuam të kalojmë nga kriza në krizë, nga konflikti në konflikt, nga keqkuptimi në mosmarrëveshje, nga lufta kundër njëri-tjetrit në një tjetër luftë…Në këtë mjedis të infektuar rëndësi merr fakti që shpifsharjet para kamerave, sidomos ato në foltoren e Kuvendit për të cilin ne kemi votuar “lirisht”, i bëjnë ata që kanë më shumë mikrofona dhe kamera para surratit e veçanërisht Kryeministri fuqiplotë i Shqipërisë, i cili fjalën e tij të pistë nuk e hedh vetëm mbi fytyrat e kundërshtarëve të tij, por mbi të gjithë qytetarët, mbi votën tonë, mbi zgjedhjen tonë…Falëndyrësia më së paku na dhurohet falas si një pështymë shpërblyese që tekefundit merr këtë kuptim: Ju më keni votuar? Tash rrini urtë se unë kam të drejtë t’ju hedh gëlbazë në fytyrë sa, si dhe kur të dua!
Ndaj fjala “historike” e Berishës në mos përfundimisht, hë për hë i ka dhënë dërrmën edhe shpresës së qytetarëve për një demokraci normale dhe funksionale, paçka se jemi në NATO. Kryeministri i vendit, autoriteti ynë më vendimmarrës, në të vërtetë legalizoi dhe justifikoi edhe njëherë vonesën tonë dramatike për në Evropë. Sepse gjuha e tij e helmët provoi që shqiptarët, që nga viti 1991 e tëhu nuk paskan bërë asnjë hap përpara drejt standardeve të demokracisë, derisa pranojnë të drejtohen nga një udhëheqës i tillë! Dhe që, paskësaj, del se ne e meritojmë lënien jashtë derës së BE-së. Andaj ndoshta me dhimbje duhet pranuar: nuk paskan dhe aq faj Brukseli dhe ndërkombëtarët që ngurrojnë t’u qasemi, që na lanë të fundit në rreshtin e popujve të Ballkanit të lëvizim pa viza nëpër Evropë. Kjo është më e rëndë edhe se sharjet që dëgjuam e që jo vetëm mediat e analistët, por edhe katundarët e periferive po i përtypin si një mëmëlige partiake darkave të netëve të gjata, me dhe pa drita, me dhe pa bukë…
Sherrnaja e pafund e liderëve tanë është e mjaftueshme për të na përçmuar e më pas edhe për të na izoluar si komb, ngaqë cilësohemi si një parashoqëri e cila, më së paku ndjell, në mos krrupë, përbuzje, në mos racizëm, regjim vizash për të të vënë kufirin te thana!…Sepse një shoqëri që pranon të ketë, të mbajë e të zgjedhë (jo vetëm një herë) një të tillë kryeministër, në të vërtetë e ka hak këtë trajtim që po na bëhet. Në cilin vend të Evropës, qoftë edhe në vendet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor mund të guxojë të flasë kryeministri me atë gjuhë dhe shoqëria të heshtë si të mos ketë ndodhur gjë?! Në cilin vend demokratik një udhëheqës guxon ta shpallë veten të parazgjedhur, “deri sa Perëndia t’i japë ymër”?!
Ja pra përse, duam apo nuk duam, një sjellje e tillë politike e meriton izolimin, pasi presupozohet se gjuha e kësollojtë e urrejtjes dhe e përçarjes, balta dhe llumi me shumicë, në një botë globale, të hapur e demokratike e ndot jo vetëm mjedisin mbarëshqiptar, por ashtu si ndotjet toksike, ajo mund të ndyjë edhe mjedisin e Evropës së Bashkuar, ndoshta më keq se bacilet e gripit të derrit që nuk njohin as kufij e as regjim vizash!...Mesa duket për këtë arsye na kanë dhënë mbi dymijë e ca “detyra” të tjera! Por plotësimi apo mosplotësimi i “detyrave të shtëpisë” për ne shqiptarët nuk janë shkaqe, po sebepe për të mos na qasur.
Kjo është çështja! Kjo është ana më dëmsjellëse e kësaj lebetie politike të radhës: sherret e pareshtura të politikës nuk prodhokan vetëm prapambetje, tensione e konflikte pa arsye, por edhe izolim!
***
Kriza jonë morale nuk ka gjasa e nuk ka shans të fashitet shpejt. Ajo do të thellohet përditë e më shumë, jo vetëm prej bojkotit, që me sa duket do të zgjatet (sigurisht nëse ndërkombëtarët nuk na dërgojnë ndonjë ultimatum si atëherë kur u zgjodh “Presidenti konsensual”), as vetëm prej standardit të zgjedhjeve, as vetëm prej fjalorit të pakontrolluar të kryeministrit që ka hipur mbi kalë e po mban të ndezur situatën konfliktuale të mospajtimit, por sepse ne, edhe pse kaluan 19 vjet demokraci, ende nuk dimë çfarë e kë zgjedhim, ende nuk kemi siguruar asnjë të drejtë kontrolli apo revokimi mbi ata që na qeverisin…Nuk ka, besoj, shqiptar që nuk e kupton se tash nuk jemi ne ata që zgjedhim dhe vendosim se cili do të jetë deputeti përkatës, kryeministri përkatës, kryetarja e Kuvendit, maxhoranca që do të na qeverisë…Edhe sikur votat tona të numërohen një për një, me saktësi farmacie, përsëri nuk jemi ne ata që do përcaktojmë kush duhet të jetë çfarë. Ne na kanë detyruar të jemi të tillë: bëjmë sikur votojmë dhe bëjmë sikur jemi ne ata që vendosim! Për këtë arsye vazhdojmë të qeverisemi nga ata që bëjnë sikur Ligjin dhe Shtetin e vënë mbi veten, që bëjnë sikur qajnë hallet tona, që flasin në emrin tonë, por që, sa herë u jepet mundësia, edhe Kushtetutën e bëjnë leckë…Ne bëjmë sikur jetojmë në demokraci dhe sikur kemi, si gjetkë e gjetkë, pushtete të pavarura, kur në fakt kemi vetëm një pushtet suprem: atë të kryeministrit…Ne bëjmë zgjedhje, por sido të bëhen zgjedhjet, përsëri, edhe pas 20 vjetësh, do të fitojë ose “ai”, ose “ky”!…Kemi gjykata, po nuk kemi drejtësi. Kemi përfaqësues që nuk përfaqësojnë zgjedhësit, po interesin vetjak dhe kryetarin e partisë që i ka emëruar. Kemi ligje, po më shumë respektojmë Maliq Bathoren! Ende ka ca norma morale, po nuk ka moralitet. Gëzojmë të drejtën e fjalës, por tek ne Fjala nuk ka as peshë, as vlerë, as sens, as ngjyrë! Kemi udhëheqës pafund, po nuk kemi modele, idhuj e krena pozitivë…Kemi pluralizëm, po realisht vazhdon të vendosë vetëm një lider! Të rinj ka me bollëk, por ata duan të ikin sa më parë nga familja e nga atdheu. Kemi edhe analistë, po qytetarët ende gjykojnë emocionalisht, krahinalisht, verbërisht, gjaknxehtësisht, partishmërisht. Kemi shkolla, po nuk kemi arsimim. Kemi tri komunitete fetare, po nuk dimë nëse realisht besojmë në Zot apo jo…Kemi Akademi, po nuk kemi shkencë. Kemi dhjetëra universitete, por diplomat e masterat nuk na pijnë ujë… Kujtojmë se dimë gjithçka, teksa nuk dimë se çfarë na mungon e kush na vë stërkëmbshin!... Kemi përrenj e lumenj, po nuk kemi ujë. Kemi qeveri, kryeministër dhe President, po nuk kemi qeverisje. Kemi shpresë, por perspektiva, ashtu si kriminelët, përherë na ikën “në drejtim të paditur”…Kemi të drejtën e votës, por votën mund ta japim edhe për thes miell. Kemi festa kombëtare, por kërleshemi edhe për datën e çlirimit si një komb që zihet edhe për “mustaqet e Çelos”… Kemi armiq të vjetër, por për hiçmosgjë shpikim armiq të rinj, paçka se një ditë armiku na del mik e miku na bëhet papritur armik i betuar... E ç’duhet të ketë më tepër se kaq që një krizë të quhet morale?
***
Më 28 qershor në të vërtetë ne pranuam të votojmë për dy kryetarë partish. Na u la në dorë të votonim për dy kandidatë që u kërleshën mes vedi për t’u bërë me hir a me pahir kryeministër, në një kohë kur këta të dy, paraprakisht, kishin përzgjedhur jo vetëm veten për t’u bërë kryeministër, por, para fushatës dhe para votimeve, kishin paracaktuar se cilët do të ishin deputetët tanë të ardhshëm (kupto:të tyre), të “zgjedhurit”e tyre (jo tanët, pra!), ata që do të përbënin shumicën a pakicën e që rrjedhimisht do të ishin, tekefundit, mirënjohës dhe besnikë me kokë e besabesë jo ndaj votës sonë, jo ndaj zgjedhjes sonë, as vullnetit tonë, por zgjedhjes dhe shoshitjes që u pat bërë preferenca klienteliste e kryetarit…Ky është i vetmi mekanizëm “magjik” që vë në funksion demokracinë tonë qeverisëse! Vini re si dalin nëpër ekrane e recitojnë tekstet e diktuara nga kryetarët e tyre, si bëjnë gam-gam e ham-ham jo vetëm zëdhënësit, po edhe të zgjedhurit tanë (kupto: të tyre).
Ja përse këta të fundit në këtë kërleshje të paprecedent janë të detyruar të ndjekin pas si dele të bindura dashin e tyre të kopesë, kryetarin përçor, dhe jo vullnetin tonë. Ja përse kriza morale nuk ka gjasa të përfundojë shpejt. Sepse ajo që po ndodh këto ditë në Shqipëri nuk shpreh interesat, dëshirën, mendësinë e votuesve dhe as frymën e popullit në përgjithësi, aq më pak shpresën tonë për demokraci…Kjo kuturu me bjeritibiem shpreh etjen e pashuar për pushtet të kryetarëve të partive; të partive që kanë fituar dhe të atyre që kanë humbur, madje edhe të partive që nuk morën as edhe një deputet dhe që nuk dihet në kanë apo nuk kanë anëtarë! Këtyre të fundit mesa duket u leverdis thellimi i mëtutejmë i krizës morale, si e vetmja gomë shpëtimi! Për ilustrim të kësaj rropame morale sigurisht nuk shërbejnë vetëm emrat e Xhuvelëve, të cilët provuan që votat tona mund të kullandrisen sipas interesit vetjak, po edhe të shumë personaliteteve të tjerë, të cilët, pasi janë rrahur, përkequr e poshtëruar nga Berisha e nga sozitë e tij e kanë ngrënë turpin me bukë dhe kanë lëpirë edhe ato që kanë pas vjellë, natyrisht për hir të një posti, të një prone, të mbetjes me çdo çmim në politikë…Shembulli i tyre ka vetëm një meritë “historike”: ata kanë mundësuar thellimin e mëtejshëm të krizës morale e të mosbesimit të ndërsjellë te shqiptarët.
E bash për këto arsye të mosarsyes Berisha, -ky mëtonjës i palodhur i krizës morale - është i detyruar të broçkullijë e të nëmosë mbarë e prapë, sepse do të trembë “armiqtë”, por edhe të motivojë besëprerët e bukëshkalët profesionistë rreth vetes! Është e qartë, ai nuk ka tjetër rrugë veç konfliktit permanent, po edhe ne, mesa duket, qenkemi të mallkuar e të destinuar të ecim herë këmbadoras e herë si gaforrja, pas gjurmëve të një bajraktari të tillë partiak që është mësuar tashmë të ecë në shtegun e lig të gjasmedemokracisë, ku në mënyrë të pashmangshme qytetarëve (dhe jo atij!) do t’u turpërohet i vetmi mjet vetëmbrojtës: “dyfeku” i votës së lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›