E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë të vdekur në superstradën Tiranë-Shkodër

01/12/2009  Përplaset ambulanca me një benz. Vdesin 4 pasagjerët e makinës dhe 2 drejtuesit

Gjashtë vetë, një pjesë e të cilëve të të njëjtës familje, kanë humbur jetën në superstradën Tiranë-Shkodër disa kilometër larg Fushë-Krujës. Përplasja mes një autoambulancë të Laçit dhe një benz-i nga Tirana dy mjeteve ka marrë jetën e të gjithë udhëtarëve si dhe të dy drejtuesve të mjeteve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur 5 kilometër në të dalë të Fushë-Krujës në rrugën nacionale të superstradës së Veriut.

Aksidenti

Rreth orës 20.05 fare pranë fshatit Derven janë përplasur benzi me targa TR 1579 A që udhëtonte nga kryeqyteti drejt Laçit dhe ambulanca me targat e Laçit që shkonte për në kryeqytet. Burimet policore thonë se të dy mjetet kanë qenë me shpejtësi të madhe duke shkaktuar edhe aksidentin me pasojat më tragjike të ndodhura gjatë këtij viti në këtë aks rrugor kombëtar. Në automjetin tip benz udhëtonin 5 shtetas, kurse në autoambulancën e Kurbinit ishte veç drejtuesit, një i sëmurë dhe shoqëruesi. Aksidenti ka qenë fatal për udhëtarët e benzit pasi asnjëri prej tyre nuk i ka shpëtuar vdekjes, ndërsa së bashku me ta ka gjetur vdekjen edhe drejtuesi i mjetit. Autovetura e Tiranës dhe ambulanca e Laçit janë përplasur kokë më kokë pranë Dervenit në territorin e Krujës, zonë që kufizohet me fshatrat skajor të Kurbinit. Sektori i policisë rrugore të Krujës, Fushë Krujës, Laçit dhe Durrësit kanë shkuar në vendngjarje pak pas aksidentit duke bërë edhe transportin e të plagosurve për në Spitalin Ushtarak. Por burime policore thonë se asnjëri nga të aksidentuarit nuk ka shpëtuar dhe se pesë prej këtyre viktimave kanë qenë në benz. Ndërkohë pohime paraprake por jo zyrtare thonë se në këtë aksident të rëndë kanë vdekur E.Murati dhe I. Murati, A. Alushi e I. Kaçi të gjithë udhëtarë në benz si dhe Vlash Suti, drejtuesi i ambulancës së Laçit. Të dy mjetet kanë dalë nga rruga si pasojë e forcës së madhe nga goditja mes tyre e shkaktuar nga shpejtësia. Ekspertët e policisë rrugore kanë thënë se benzi kishte shpejtësi mbi 120 km në orë, ndërsa edhe ambulanca qarkullonte me thuajse të njëjtën shpejtësi. Për afro 1 orë rruga është bllokuar plotësisht pasi policia dhe qytetarë e udhëtarë të shumtë kanë tentuar të nxjerrin të plagosurit nga mjetet e tyre. Benzi është kthyer në mes të rrugës dy herë dhe më pas ka përfunduar në anë të skarpatës në kahun e kundërt të rrugës. Vetëm një nga pesë udhëtarët e benzit me targa TR 1579 A është nxjerrë në asfalt gjatë përplasjes kurse të gjithë të tjerët janë nxjerrë me shumë vështirësi nga mjeti i dëmtuar plotësisht. Policia ka theksuar se një pjesë e të vdekurve tyre janë të të njëjtit fis. Nga autoambulanca ka vdekur vetëm njëri nga udhëtarët që paraprakisht thuhet se është shoferi, kurse dy të tjerë janë në Spitalin Ushtarak në gjendje shumë kritike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›