E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ther bashkëshorten me thikë, vetëvaret

Autori i Lajmit: red.
Ka përfunduar në mënyrë tragjike martesa 15-vjeçare e një çifti nga Laçi. Një 44-vjeçar ka tentuar të vrasë bashkëshorten, pasi kishin pothuajse tre vjet që vetëm grindeshin. Pasi janë zënë për motive të dobëta, bashkëshorti ka therur me thikë gruan e tij. Pasi ka menduar se ajo ka vdekur, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë pranë shtëpisë. Për fat të mirë, 38-vjeçarja ka mundur të mbijetojë, por ka humbur bashkëshortin.
Ngjarja
Ka therur me thikë bashkëshorten, duke e lënë për të vdekur në banesë e më pas ka marrë një litar, duke u vetëvarur në një plep. Alfred Doçi banonte në lagjen pesë Laç. Ndërsa policia e Kurbinit kishte mbërritur në banesën e tij për ta arrestuar për therjen me thikë të bashkëshortes, të afërmit e tij kanë shtangur tek kanë parë trupin pa jetë të varur në një plep, rreth 80 metra larg shtëpisë së tij. Ndërsa bashkëshortja e Alfredit, Drane Doçi, pasi ka përfunduar në spitalin e Laçit, ka marrë mjekim dhe është larguar për tek njerëzit e saj. Burime nga policia e Laçit bëjnë të ditur se konflikti ka nisur mëngjesin e djeshëm mes Alfred Doçit, 44 vjeç dhe Drane Doçit, 38 vjeç. Ndërkohë që me ta ka qenë edhe motra e 44-vjeçarit Doçi, dy bashkëshortët kanë nisur të ofendojnë njëri–tjetrin, deri sa sherri ka vazhduar edhe me një përleshje mes çiftit. Në këto kushte Alfred Doçi ka marrë thikën e bukës dhe më pas e ka qëlluar bashkëshorten e tij, Dranen, në fytyrë dhe qafë me thikë, duke i shkaktuar asaj plagë të thella. Sipas dëshmisë në polici të motrës së Alfredit, Drania ka rënë pa ndjenja në dysheme, ndërsa Alfredi ka dalë nga banesa duke mos u kthyer më. Menjëherë e motra ka kërkuar ndihmë tek fqinjët duke e dërguar atë në spitalin e Laçit. I pari që i ka dhënë ndihmën ka qenë kirurgu Leonard Zefi, i cili për gazetën është shprehur “ka qenë ora 08.00 e mëngjesit, ndërsa është paraqitur në urgjencë Drane Doçi, 38 vjeç, e cila ishte qëlluar me thikë në fytyrë dhe qafë. Plaga ishte e thellë, por fatmirësisht thika nuk kishte kapur ndonjë arterje kryesore të gjakut. Pas mjekimit dhe qepjes së plagës, Drania është larguar së bashku me të afërmit e saj për në banesën e saj dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
Hetimet
Policia e Kurbinit me të marrë vesh se në spital kishte ardhur një e goditur me thikë ka marrë të dhënat operative duke mbërritur në banesën e Alfred Doçit. Sapo policia ka mbërritur në shtëpinë e tij, uniformat blu kanë marrë njoftimin nga familjarët se Alfredi ishte vetëvarur në një plep në afërsi të shtëpisë, rreth 80 metra larg saj. Policia ka mbërritur tek pema dhe ka kryer më pas edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes, ndërsa ka shoqëruar edhe të afërmit e viktimës në polici, duke marrë të dhënat mbi konfliktet që kishin pasur mes çiftit si dhe motivet që kishin çuar në plagosjen e Dranes dhe më pas në vetëvarjen e Alfred Doçit. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se çifti kishte vite që ishte në konflikt me njëri-tjetrin dhe kjo kishte dy arsye. E para ishte vështirësia ekonomike e çiftit Doçi, burrë dhe grua ishin të papunë dhe kishin tre fëmijë për të ushqyer dhe arsyeja e dytë ishte gjendja depresive e Alfredit, i cili para pak kohësh kishte kaluar në depresion psikik.

Familja Doçi

Alfred Doçi dhe Drane Doçi kishin mbi pesëmbëshjetë vite martesë së bashku. Drania ishte nga Puka dhe Alfredi nga Lura. Çifti Doçi kishte sjellë në jetë edhe tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ata kishin lënë Lurën dhe ishin vendosur në lagjen pesë të Laçit, ose ndryshe pranë ish-kotecëve të fermës, që prej dhjetë vitesh. Falë punës intensive të Alfredit për dhjetë vite në Greqi, ata kishin mundur të blinin rreth një dynym tokë, të cilën ua kishte gjetur daja i Alfredit, Prengë Zefi, dhe më pas kishin ngritur një shtëpi njëkatëshe. Alfred Doçi ishte kthyer nga Greqia para tre vitesh për të mos u kthyer më pas, pikërisht gjatë kësaj kohe nis sherri mes tij dhe bashkëshortes dhe marrëdhëniet mes çiftit sa vinin e përkeqësoheshin. Kjo sipas deponimit të bashkëshortes, Dranes, kishte ndodhur pasi Alfredi kishte kaluar një rast në depresion nervor dhe kishte probleme psikike, ndaj edhe e keqtrajtonte vazhdimisht.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›