E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunoi çeken, vihet në bankën e të akuzuarve

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
I dënuar për grabitjen dhe përdhunimin e një çekeje është sjellë para drejtësisë. Redion Terroli është ekstradaur dje nga Athina, pasi është një ndër të dyshuarit për rrëmbimin e çekëve Robert T. dhe Alena K., të cilën më pas e ka përdhunuar. Burime nga policia bëjnë të ditur se Terolli ishte vetëm 15 vjeç në kohën që ka kryer krimin dhe është dënuar nga gjykata në kushtet e mungesës me 8 vjet burg.
Ngjarja
Dy të rinjtë çekë, që kishin ardhur në Korçë për të vizituar liqenin e Prespës, jo vetëm janë grabitur, por vajza që ka qenë duke kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri, është përdhunuar. Dyshohet se ndaj vajzës 22- vjeçare, Alena Kodakova, është ushtruar dhunë seksuale, në prani të mikut të saj nga dy të rinjtë e fshatit Zvezdë të Korçës, tashmë të shpallur në kërkim nga policia. Burime të policisë bënë të ditur se pas hetimeve intensive, është bërë e mundur të identifikohen dy agresorët e turistëve çekë. Ata janë Redion Terolli, 15 vjeç dhe Marjon Meçollari, 18 vjeç, të cilët ende nuk janë prangosur nga policia.
Dhuna seksuale
Dy të rinjtë çekë ishin nisur në drejtim të Prespës, duke preferuar që udhëtimin prej 30 kilometrash ta bënin në këmbë për të eksploruar edhe natyrën shqiptare të kësaj krahine. Nuk kishin përshkuar veç dhjetë kilometra në këmbë, kur rreth orës 19:00, kanë qenë dy adoleshentë nga fshati Zvezdë, Redion Terolli dhe Marsel Meçollari, që u kanë premtuar se do t i çonin ata deri në fshatin Prespë. Pasi kishin kaluar në rrugën gjithë kthesa në vendin e quajtur “Qafa e Zvezdës”, me gjuhën e shenjave, por në mënyrë tejet agresive Terolli dhe Meçollari i kanë kërkuar çiftit të të rinjve çekë, të dorëzonin të gjitha të hollat si dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Duke parandier të keqen, fillimisht ka qenë djali çek Robert Tropek, që u ka ofruar adoleshentëve agresivë shumën prej 100 eurosh. Por duket se kjo nuk ka mjaftuar për adoleshentët e dhunshëm shqiptarë. Me forcë ata kanë detyruar djalin çek dhe shoqen e tij të dorëzonin të gjitha të hollat që kishin me vete, 200 USD, 70 euro, 250 korona çeke, 200 dinarë serbë, një kamera digitale “Olimpus” si dhe telefonin celular të tipit “Siemens”. Ndërkohë grabitësit u morën edhe dy çanta shpine brenda të cilave gjendeshin edhe pasaportat. Duket se agresiviteti i adoleshentëve shqiptarë nuk ka të sosur. Pas grabitjes, nën kërcënimin dhe përleshjen që bënë me djalin çek, ata kanë ushtruar dhunë seksuale edhe mbi 20-vjeçaren Alena Kodakova. Me anën e një përkthyesi, dy çekëve u janë marrë deklarimet në policinë e Korçës. Mjekët e spitalit provuan shkallën e dhunës së ushtruar mbi Kodakovën, së cilës iu desh ta paguante shtrenjtë një udhëtim turistik.
Identifikimi i autorëve
Pas një pune intensive, policia e Korçës ka identifikuar dy agresorët. Fillimisht u gjet makina e tyre tip “Benz” e braktisur, kurse agresorët Terolli dhe Meçollari janë larguar në drejtim të paditur. Policia e Korçës u vu në ndjekje të tyre, ndërkohë që u njoftua edhe policia kufitare për kontroll të vijës së kufirit. Dje është ekstraduar autori i kësaj ngjarjeje, i cili do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së ulët.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›