Thethi “pushtohet” nga turistët e huaj

Natyra është treguar më shumë se bujare me Thethin, një perlë e turizimit malor shqiptar.
70 kilometra larg nga Shkodra, Thethi shtrihet në një luginë me sipërfaqe 2.600 hektarë. Turistët vendas dhe të huaj i takon në Theth 12 muajt e vitit.
“Unë vij nga Gjermania dhe me familjen time po shkojmë drejt Thethit. Gjatë rrugës vizituam Bogën dhe në Theth do të qëndrojmë 4 netë. Njerëzit këtu duken shumë miqësorë dhe të ndihmojnë për çdo gjë. Do t‘ja sugjeroj edhe miqve të mij që të vizitojnë alpet e shqipërisë sepse natyra është vërtetë magjepsëse,” thotë për RTSH një turist gjerman.
Kalimi Valbonë–Theth është një nga shtigjet më të frekuentuara për të apasionuarit e hiking.
“Vij nga Franca. Kam ardhur dje në Shqipëri dhe kam bërë kalimin nga shtegu i Valbonës për të mbërritur në Theth. Është një vend shumë i bukur dhe për mua është hera e parë që e vizitoj,“ thotë një tjetër turist.
Petrit Shpella administrator i një bujtinë në Theth, thotë që sezoni turistik duket i mbarë dhe se kërkesat për rezervime kanë kaluar të gjitha pritshmëritë.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.
Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.
Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/ rtsh /