E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura e vjetër rrezikon jetën e 1500 banorëve

 

BURREL – Mes Burrelit e Klosit ndodhet fshati Dom, pjesë e komunës së Gurrës. Shqetësimet e 1500 banorëve sjanë të shumta, por mbi të gjitha është gjendja e rënduar e urës, që lidh fshatin me rrugën nacionale. Amortizimi i skajshëm i dërrasave dhe kavove të urës pasarelë, mbi të cilën lëvizin njerëzit dhe mjetet e transportit, ka vënë në rrezik në jo pak raste jetën e banorëve të Domit. “Ditë më parë, teksa një veturë po transportonte një grua shtatzënë mbeti e varur në anë të urës. Jeta e shoferit, gruas që ishte në momentet e lindjes dhe njerëzve që e shoqëronin u vu në rrezik”, tregojnë banorët e këtij fshati. Ata kanë trokitur në komunë dhe u kanë dërguar disa letra strukturave shtetërore, por asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje. “Sa herë vjen fushata elektorale nxitojnë kandidatët për deputetë apo kryetar komune dhe na premtojnë ndërtimin e urës. Jemi gënjyer disa herë, por në këto zgjedhje ne nuk do të paraqitemi nëse nuk çelet fondi për ndërtimin e urës dhe nxjerrjen e fshatit tonë nga izolimi”, deklarojnë anëtarë të pleqësisë së fshatit Dom. Ndërkohë kryetari i komunës, Sali Celami thotë se të paktën tre herë i është drejtuar Kryeministrit Sali Berisha dhe disa herë të tjera ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. “Jam ankuar pranë kryetarit të qeverisë dhe ministrit të linjës. I kam vënë në dijeni ata rreth problemeve jetësore që kanë banorët e komunës Gurrë. Në veçanti kam kërkuar fonde për urën e Domit, e cila aktualisht përbën rrezik serioz për jetën e këtyre banorëve. Jo vetëm fonde nuk janë lëvruar ende për këtë objekt të rëndësishëm, por as përgjigje nuk kemi marrë nga autoritetet qendrore”. Të shqetësuar se as këtë vit ura nuk do të ndërtohet banorët e Domit thonë se nuk do të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit, pasi janë gënjyer disa herë dhe tani nuk mund të tolerojnë më gjatë.    h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›