Inspektimi në Apelin e Tiranës, shkeljet që u gjetën në dosje
Laureta Rryçi
Tiranë - Një muaj më parë, gjatë analizës vjetore të Gjykatës së Apelit Tiranë, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se 12 gjyqtarë të kësaj gjykate se kanë zvarritur shpalljen e vendimeve gjyqësore duke cenuar procesin e gjykimit dhe dëmtuar qytetarët.
Informacionet e marra nga kryesekretarja e kësaj gjykate, e njohën ministrin me fakte të tilla, si shpallje të vendimeve gjyqësore pas 7 muaj e 23 ditësh nga marrja e vendimit. Nisur nga kjo, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, urdhëroi kryerjen e një inspektimi të plotë me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive të gjyqtarëve që nuk kanë respektuar afatet procedurale në lidhje me dorëzimin e dosjeve.
Inspektimi
Pas kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një raport përfundimtar. Në të u konstatua se 12 gjyqtarë të Apelit Tiranë, nga 1 janari i vitit 2007 deri më 30 dhjetor të këtij viti, kanë dorëzuar në kryesekretarinë e kësaj gjykate, jashtë afatit ligjor, 700 dosje civile dhe penale, që zënë 20% të çështjeve penale dhe civile të përfunduara. Inspektimi ka evidentuar faktin se një numër i madh dosjesh janë dorëzuar minimalisht në një afat kohor mbi dy muaj nga dhënia e vendimit dhe maksimalisht 6 muaj nga dhënia e vendimit. Raporti evidenton se vonesat në dorëzimin e dosjeve kanë sjellë pasoja për të gjitha palët ndërgjyqësore, pasi n.q.s njëra palë kërkon të ekzekutojë vendimin, pala tjetër kërkon të bëjë rekurs për në Gjykatën e Lartë, kërkesë e cila, në bazë të nenit 476 të Kodit të Procedurës Civile, duhet të depozitohet në një afat prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve.
Shkeljet
Në këto kushte gjyqtarët kanë shkelur të drejtën e palëve për gjykim brenda afatit të arsyeshëm ligjor, duke lejuar tejzgjatje të procesit dhe mosrealizim të të drejtave të tyre themelore në kohë. Raporti u është dërguar 12 gjyqtarëve të kësaj gjykate për të paraqitur observacionet dhe mbas përfundimit të këtij procesi ministri i Drejtësisë do të vlerësojë nisjen e procedimeve disiplinore për rastet e sipërpërmendura në bazë të detyrimeve ligjore të përcaktuar nga Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor". Ministria e Drejtësisë ka nisur kontrollin e veprimtarisë së gjyqtareve dhe të administratës gjyqësore edhe në disa gjykatat të tjera të vendit .
Baza ligjore
Neni 113 i Kodit të Procedurës Penale
Origjinalet e akteve të gjykatës depozitohen në sekretari brenda pesë ditëve nga bërja e tyre. Për aktet e ankueshme njoftohen prokurori dhe personat që me ligj i njihet e drejta të bëjnë ankim.
Neni 308/2 i Kodit të Procedurës Civile
Në çështje të ndërlikuara, gjykata mund të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit, duke e dorëzuar atë të arsyetuar në sekretari jo më vonë se dhjetë ditë ose të shtyjë shpalljen e arsyetuar të vendimit, deri në pesë ditë. Arsyetimi i vendimit bëhet nga kryetari i seancës, përveç kur ai ia beson këtë njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.
Neni 476 i Kodit të Procedurës Civile
Rekursi depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin, në afatin prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve....
19 Prill 2008