E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirreni Putinin në Rusi, ndoshta ju ndihmon!

26-10-2011 / Nga Bajrush Morina (Bota Sot)

KFOR-i më në fund “foli” sot. Dhe natyrisht fjalori i KFOR-it është ushtarak. Komandanti i KFOR-it gjermani Erhard Drevs urdhëroi trupat e KFOR-it, kryesisht ushtarët gjermanë e amerikanë që të largojnë bërllokun e barrikadave serbe nëpër rrugët e veriut të Kosovës. Ndërhyrja e KFOR-it erdhi si pasojë e mosbindjes së udhëheqësve të strukturave paralele serbe që t’i largojnë barrikadat nga rrugët me dialog e jo me dhunë. Por meqenëse liderët e strukturave paralele serbe nuk e kuptojnë gjuhën e dialogut atëherë KFOR-it “foli” në gjuhën e vet profesionale, i ndezi motorët, i mobilizoi ushtarët dhe u nis drejt pikave veriore.
Përballë ndërhyrjes së ushtarëve të KFOR-it dolën disa serbë të cilët ndër të tjerash pos që tentuan t’i masin forcat me KFOR-in, e që nuk ua mbajti shumë “prapanica”, nxorën para syve të ushtarëve të KFOR-it fotografitë e radikalëve serbë. Por ajo që ra në sy kësaj here ishin edhe fotografitë e dy udhëheqësve të lartë rus, presidentit Medvedev dhe kryeministrit rus Putin. Ky koleksion fotografish përmbajtësish ishte krejt në rregull sepse liderët politikë të Beogradit mendojnë kryekëput si liderët politikë e institucionalë rusë. Ata pos që i bashkon prejardhja e përbashkët etnike sllave, i bashkon edhe ideologjia politike.
Prejardhje të njëjtë gjenetike me zyrtarët e Beogradit e me udhëheqësit e lartë rus kanë edhe liderët e strukturave paralele serbe. Madje këta të fundit kanë një simpati të veçantë për Medvedevin dhe Putinin. Bile disa prej tyre përderisa ndjehen të tradhtuar nga lidershipi zyrtar i Beogradit, krejt shpresat dhe ëndrrat e tyre i kanë të varura në Rusinë e Medvedevit e të Putinit. Mu për këtë arsye është fare e natyrshme që përballë ushtarëve të KFOR-it, protestuesit serbë të manipuluar të defilojnë edhe me fotografitë e udhëheqësve rusë Medvedev e Putin. Me nxjerrjen në pah të fotografive të liderëve rusë, serbët e veriut po u luten atyre që t’u dalin në ndihmë përballë ndërhyrjes së ushtarëve të NATO-s, policëve të EULEX-it dhe shtrirjes së autoritetit të Republikës së Kosovës deri në kufi me Serbinë. Në një gjendje “të mjerë” psikologjike që gjenden serbët e manipuluar të veriut, ndoshta ky është i vetmi ngushëllim i tyre për të shpëtuar “moralin e tyre politik” që po mërdhihet tash e disa javë pranë barrikadave të ngritura nëpër rrugët e veriut. Prandaj, mos ia ndani, thirreni Putinin se ndoshta ju ndihmon!
Por përballë ushtarëve të NATO-s, Putini dhe Medvedevi rus mund t’u dërgojnë serbëve të veriut vetëm nga një “kartolinë” me fjalë “përshëndetëse”. E shumta që mund të bëjnë është që të luten në ndonjë nga katedralet ruse për vëllezërit e tyre serbë në Kosovë. Gjithçka tjetër është e kotë, është ëndërr me sy çelë, është shpresë e vdekur, është e pamundshme.
Rusia i ka tërhequr ushtarët e vet para më shumë se 5 vjetësh. Arsyen e tërheqjes e dinë vetë zyrtarët rusë, por se ushtarët rusë ua kthyen shpinën vëllezërve të tyre serbë të Kosovës, kjo tashmë është një e vërtetë e hidhur për serbët.
Serbët e Kosovës janë “tradhtuar” edhe nga ushtria dhe policia serbe. Këta të fundit janë përzënë nga Kosova qysh në qershor të vitit 1999 kur Kosovës ia mësynë mbi 40 mijë trupa të NATO-s. Në një vend ku militarët serbë kishin bërë krime ndaj shqiptarëve nuk ka më vend për ata, aty ku zbarkojnë ushtarët që sollën lirinë për popullin e Kosovës. Ata ia mbathën me plaçkat e tyre për në Serbi, e vëllezërit e tyre serbë mbetën me “gishta në gojë” duke i parë skenat e ikjes së ushtarëve e policëve serbë nga Kosova në qershor të vitit 199.
Serbët e veriut po kërkojnë që përsëri të kthehen në Kosovë ushtria dhe policia serbe. Por edhe kjo është një shpresë e kotë, e vdekur, e pamundshme. Fundi i krimeve të ushtrisë e policisë serbe ka qenë qershori i vitit 1999. Ajo kohë më nuk do të kthehet kurrë. Ka përfunduar!
E keqja është se për serbët e veriut ajo kohë ende është në kujtesë, ata ende po shohin ëndrra me sy çelë dhe po shpresojnë se do të ringjallet “ushtria e policia e vdekur” për Kosovën siç është ushtria e policia serbe.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›