E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP e OSBE, takim me anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës

26-10-2011 / Gazeta 55

Lufta kudër korrupsionit

Lufta ndaj korrupsionit do të jetë tema e debatit të sotëm që do zhvillohet në tryezën e përbashkët të thirrur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe prezencës së OSBE-së në Tiranë me anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës.
Në njoftimin e shpërndarë dje për mediet, zëdhënësi i ILDKP-së Albi Serani theksoi se në këtë tryezë “anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës do të diskutojnë me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbi çështjet e antikorrupsionit në tryezën e rrumbullakët.
“Parandalimi i konfliktit të interesave në administratën lokale”, e cila organizohet me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), prezenca në Shqipëri”, do të jetë tema kryesore e diskutimit”, njoftoi dje Serani.
Ky takim, i cili do të zhvillohet në orën 10:00 në ambientet e hotelit “Sheraton”, ka një rëndësi të veçantë në hartimin e politikave kundër korrupsionit për shkak të veçorive që ka vendimmarrja nga administrata e kryeqytetit shqiptar.
“Takimi është ideuar në formën e një bashkëbisedimi, ku të pranishmit do të diskutojnë mbi strategjitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe për mënyrat e shmangies së konfliktit të interesave dhe korrupsionit në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së. Pak ditë më parë nga ekspertët kushtetues të projektit “Kundër korrupsionit në Shqipëri” (PACA) dhe projektit “Konsolidimi i sistemit shqiptar të drejtësisë” (EURALIUS), të mbështetur nga Bashkimi Evropian, organizuan një tryezë gjithëpërfshirëse, ku temë e diskutimit ishte heqja e imunitetit të zyrtarëve.
Ekspertët ndërkombëtarë u shprehën të mendimit se reformat e kryera ose reformat e propozuara, të cilat nuk bazohen në ndryshimin e Kushtetutës, nuk mund të kufizojnë në mënyrë të efektshme imunitetin e deputetëve në Shqipëri. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi se imuniteti do të thotë që zyrtarët të kenë lirinë e tyre, por dhe të japin llogari.
“Imuniteti do të thotë se zyrtarë dhe gjyqtarë mbajnë dhe liritë e tyre për të funksionuar të pavarur, por dhe të japin llogari kur ka shkelje. Të luftohet korrupsioni të në gjitha nivelet. Dua të theksoj se kjo është punë thelbësore, që ka nevojë për të gjitha forcat politike. Sidomos në fushat e studimit të ligjit dhe në një kontekst të tillë duhet konsultim. Kam besim se diskutimet e sotme do ta çojnë përpara procesin e reformave”, tha Sequi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›