E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të nisë Reforma Zgjedhore, koha për të parë para, jo pas”

26-10-2011 / Gazeta 55

Sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert, apel për politikën shqiptare

Delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe misionit të ODIHR-it ka përfunduar dje vizitën dy ditore në Tiranë pasi është takuar me krerët më të lartë të shtetit si dhe përfaqësues të partive politike në vend.
Në një konferencë për shtyp sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert deklaroi se është e nevojshme kryerja sa më parë e reformës zgjedhore.
Sipas tij, duhet të krijohet sa më parë Komisioni Parlamentar për reformën zgjedhore i cili do të nisë nga puna për ndryshimet në kod. Ai ka kërkuar nga Parlamenti shqiptarë të fillojë të punojë mbi opinionin Komisionit Europian.
“Jemi këtu të kontribuojmë në reformën zgjedhore të Shqipërisë. Jemi të mos shohim pas, por para. Do të nxjerrim një opinion në mes dhjetorit, por disa përfundime janë gati tani. E para është nisja e punës dhe ngritja e një Komisioni Parlamentar për reformën zgjedhore. Çështjet janë të qarta, tani duhet që Parlamenti të fillojë të punojë mbi opinion. Me 16-17 do kemi një opinion më të qartë për të adresuar çështjet e OSBE/ODIHR. Jemi gati të punojmë me komisionin Parlamentar. Ne jemi për të ofruar këshilla dhe ekspertizën e duhur”, tha Markert.
“Ne do të japim përfundimet për reformën. Jemi optimistë për ecurinë e reformave . Rekomandimet e OSBE/ODIHR janë të qarta dhe duhet të merren në konsideratë. Në dhjetor do të flasim për kushtet që janë plotësuar. Por me rëndësi është të fokusohemi tek rekomandimet. Çështjet e reformës zgjedhore janë të qarta”, është shprehur Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert.
Sipas përfaqësuesve të delegacionit, vizita e përbashkët e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it tregon gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Komisionin Parlamentar në zbatimin e reformave.
“Kemi qenë në Shqipëri edhe muajin e kaluar. Kjo vizitë e përbashkët me Komisionin e Venecias tregon që OSBE/ODIHR është i gatshëm për të ndihmuar Komisionin Parlamentar për të zbatuar rekomandimet për reformën zgjedhore”, theksoi përfaqësuesi i OSBE/ODIHR.
Delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe misionit të ODIHR-it do të hartojë një opinion të përbashkët për përmirësimet që mund ti bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri dhe do të dorëzohet në Komisionin e Venecias për miratim të mundshëm në seancën e tij plenare të dhjetorit 2011, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm.

Rekomandimet
“Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Rekomandimet nga Komisioni i Venecies dhe OSBE–ODIHR-it do të analizohen në opinionin e përbashkët që do jepet për Shqipërinë. Opinioni formal i Komisionit të Venecies do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij komisioni më 16–17 dhjetor”.

Dialogu politik
“Është e rëndësishme për të pasur këtë dialog tani para adoptimit të opinionit të dhjetorit dhe pastaj për të vazhduar më tej. Për këtë partitë politike duhet të mos presin dhjetorin e ardhshëm, por të ngrenë urgjentisht komisionin parlamentar për reformën zgjedhore në vend. Çështjet janë të qarta, tani Kuvendi duhet të fillojë të punojë mbi opinionet”.

ODIHR-i për Kodin
“Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar për të trajtuar me vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e votimit të gabuar, duke përfshirë edhe procedurat për fletët e votimit të tillë në tabelën e rezultateve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të mospërputhjeve kur numri i votave të hedhura tejkalon numrin e nënshkrimeve në listën e zgjedhësve”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›