E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e "rebelëve" injorohet nga grupi i PS

Deputetët socialistë refuzojnë t‘i përgjigjen pozitivisht thirrjes së pesë kolegeve të tyre për të hyrë në Parlament seancën e ditës së hënë. Apeli synonte thyerjen e bojkotit fillim javën e ardhshme, ditën kur 27 vende të BE-së do të vendosin për kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit. Deputeti Ilir Beqja tha se në axhendën e grupit parlamentar është protesta e Vlorës dhe Tiranës, ndërsa nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kërkesa për hapjen e kutive. "Nuk jam njohur me rezolutën, kështu që do rezervohesha të jepja një mendim për të. Arsyeja që jepet për të shkuar në Kuvend nuk ndryshon asnjë gjë në jetën parlamentare dhe Olli Rehn i bëri të ditur Ilir Metës se qeveria duhet të kërkojë zgjidhje. Ne ndërkohë vazhdojmë të kërkojmë hapjen e kutive, sot (dje) protestojmë në Vlorë dhe javës tjetër në Tiranë. Kjo do jetë axhenda e grupit parlamentar në ditët në vijim", tha ai. Ndërsa të tjerë deputetë të Partisë Socialiste, si Ilir Gjoni dhe Erion Braçe duket se kanë zgjedhur të tregohen indiferentë karshi një thirrjeje të tillë, duke bërë të ditur se nuk janë informuar fare për rezolutën e pesë kolegëve.

Ndërkohë që Lëvizja për Mendimin Ndryshe nëpërmjet Kastriot Islamit, i ka bërë thirrje sërish opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe të kthehet në Parlament, në emër të integrimit në BE. Ai pohoi se nuk do të dalë kundër qëndrimit të shumicës dhe nuk do të hyjë në Parlament pa miratimin e saj, por kërkon që Partia Socialiste të rikthehet në Kuvend vetëm në emër të integrimit.
"Ky apel vjen pas një mbledhjeje të ambasadorëve të 27 vendeve të Bashkimit Europian, të cilët kanë deklaruar vendimin që do të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit të Europës, të ministrave të Jashtëm, për t‘i dhënë të drejtën Këshillit të Europës të fillojë negociatat me Shqipërinë, për t‘i dhënë asaj statusin e kandidates", tha Islami. Ai shtoi se është "pro" hapjes së kutive, por kundër bojkotit në këto momente kaq të rëndësishme për vendin, kur të gjithë po i drejtojnë opozitës të njëjtën thirrje, të kthehet në Parlament. "Apeli që i bëj Partisë Socialiste vjen pasi kjo parti ka dhënë kontribut në 8 vjet. Ajo e ka filluar procesin për integrimin në BE, prandaj le të vazhdojë të jetë ende prezente kur ky proces të finalizohet", deklaroi ai.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›