Vdekja në komisariat, akuza policisë
"Nuk kishte arsye për t‘u vetëvrarë. Kishte një vajzë për të rritur. Atë e vrau dhuna". Familjarët e Klodian Bushit, të riut që vdiq në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit mbrëmjen e së enjtes, akuzojnë policinë për vrasjen e njeriut të tyre dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pretendojnë se 27-vjeçari është viktimë e dhunës dhe presionit policor, ndërsa motra e viktimës, Enkelejda, një e sëmurë nga tumori, i drejtohet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës që të ndikojnë në zbardhjen e këtij rasti dhe për t‘u mbyllur rrugën njëherë e përgjithmonë ngjarjeve të tilla. Çështja po ndiqet nga afër edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, që është vënë në dijeni nga familjarë të 27-vjeçarit Bushi. Dy inspektorë të avokatit kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës për t‘u njohur me rrethanat e ngjarjes dhe ecurinë e hetimeve. Familja ka kërkuar avokatin Maks Haxhia për të ndjekur çështjen, por ende nuk ka marrë një përgjigje prej tij. E shoqja, Gjylserina 25 vjeçe, tregon çastet e fundit me të kur shkuan në Komisariatin e Policisë pas njoftimit të marrë për paraqitje nga inspektori i zonës. "Askush nuk më tha gjë. Unë isha aty, në të njëjtën godinë me të dhe nuk më morën për dëshmitare që ta shihja me sytë e mi si kishte vdekur. Ata kërkuan ujë dhe s‘më thanë asgjë. Më thanë vetëm: Ik se ke fëmijën e vogël. Deri në orën 10.00 të natës kam qenë aty. Jam e bindur që kanë ushtruar dhunë. Sa herë e kapte policia e rrihte", tregon për "Shqip" e shoqja. "Nuk kishte arsye për t‘u vetëvarur. Kishte një vajzë për të mbajtur. Shkonim shumë mirë. Ai s‘kishte shumë që kishte dalë nga burgu", vazhdon ajo, ndërsa pohon se sendet e vjedhura u gjetën në shtëpinë e tyre. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë, përmes zëdhënëses, në një konferencë për shtyp sqaroi rrjedhën e ngjarjes, por jo motivet që e shtynë të riun drejt vetëvarjes. Klodian Bushi kishte qenë i dënuar pesë herë për veprën penale të vjedhjes dhe herën e fundit kishte dalë nga burgu më 21 tetor. Vajza e tij, Fatimja e vogël flokëverdhë, vërtitet në oborrin e ngushtë para shtëpisë së gurtë dhe pyet: "A do ma kthejë policia babin?" Pyetja fëminore e bazuar në situata të mëparshme bën që e ëma të shkrehet në vaj dhe të kuptojë se tani do ta ketë dhe më të vështirë jetesën. Pa punë, me një fëmijë përdore dhe pa një burrë në krah. Vjedhja e një shtëpie mund ta izolonte Klodian Bushin sërish në qeli, por ajo që ndodhi mbrëmjen e së enjtes i dha fund përfundimisht serialit të mbylljes së tij në burg. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Elda Qyrfyçja, tha se në përbërje të grupit hetimor të ngritur për ngjarjen ka prokurorë të rrethit Gjyqësor Durrës, ekspertë kriminalistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspertë mjekoligjorë dhe specialistë të hetimit të krimit. Në shtëpinë e viktimës janë gjetur sendet e vjedhura të hënën e kësaj jave në një banesë në lagjen 11 të qytetit bregdetar. Ndërkaq, hetimet po kryhen edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për të sqaruar rrethanat që e çuan të riun drejt aktit fatal dhe ndonjë përfshirjeje të mundshme të punonjësve të policisë në këtë ngjarje. Gjithsesi, nuk është deklaruar asnjë marrje mase deri tani në Komisariatin e Policisë së Durrësit në pritje të rezultatit të hetimeve. Policia mohon që ndaj Bushit të jetë ushtruar dhunë, ndërsa ishte thirrur bashkë me të shoqen në komisariat për t‘u pyetur mbi vjedhjen. E dëmtuara L.K., në shtëpinë e së cilës Bushi kishte marrë sende me vlerë, si bizhuteri të florinjta, pesë ora dore, si edhe një telefon celular të tipit "Nokia", ka njohur mes disa grash gruan e Bushit si të përfshirë në vjedhje, ndërkohë që sendet u gjetën nga policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.