Qeveria, borxh nga jashtë për të minimizuar krizën
Qeveria do të marrë borxh në tregun ndërkombëtar për të ulur efektet e mundshme të krizës botërore, që mund të prekin Shqipërinë. Me marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar, duke minimizuar nxjerrjen në ankand të bonove të thesarit, qeveria synon të nxisë bankat e nivelit të dytë në vend të rrisin kreditimin e sektorit privat. Një rritje e mundshme e kreditimit do të mbante në nivele të larta investimet dhe konsumin në vend, dy elementë kyçë për t’u përballur me ndonjë krizë që mund të prekë vendin vitin e ardhshëm. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se niveli i kredive është shumë i ulët në raport me ekonominë. Qeveria ka vendosur të heqë dorë nga bonot e thesarit, interesi i të cilave ka prekur rekorde historike, duke arritur në 8.65% për letrat me afat 1-vjeçar në ankandin e fundit, për të blerë borxh në tregun ndërkombëtar, ku realisht interesat janë shumë më të ulëta se në tregun vendas. Javët e fundit interesi i euriborit ka variuar në 3.5-4%. Në konferencën përmbyllëse për këtë vit, Bode tha se ishte programuar të merreshin 300 milionë euro kredi nga bankat në vend, por duke parë normat e larta të interesit, atëherë kjo shumë do të merret në tregun ndërkombëtar. Sipas ministrit të Financave, me kalimin nga borxhi i brendshëm tek borxhi i jashtëm për një shumë prej 300 milionë eurosh, do t’i çlirojmë ekonomisë shqiptare dhe bankave në Shqipëri 300 milionë euro, që të përdoren për të kredituar biznesin.KrizaMinistri i Financave thotë se Shqipëria nuk do të ndikohet nga kriza botërore. Kriza në botë është krizë besimi dhe konsumi, i cili ka rënë shumë, duke ndikuar në uljen e përgjithshme të çmimeve në botë, një situatë e rrezikshme e cila shkakton deflacionin. “Shqipëria ka për të mbetur jashtë influencës së kësaj krize, ose ka për t’u ndikuar në mënyrë tepër simbolike, që nuk do të jetë e dukshme dhe nuk do të japë ato pasoja që ka aktualisht në perëndim”, - deklaroi dje Bode. Për vitin e ardhshëm, qeveria deklaron se ka lënë 200 milionë dollarë si fond kontigjence, për t’i përdorur në rast të ndonjë skenari të mundshëm. Bode tha se edhe të ardhurat e krijuara nga privatizimet e kompanive publike, të cilat kalojnë 200 milionë eurot, do të shkojnë për investime dhe rritje pagash e pensionesh. Me rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe investimet e mundshme, qeveria synon të mbajë në nivele të larta kërkesën konsumatore, pra duke nxitur rritje të konsumit, e cila nuk do të ndikonte në ulje të mundshme çmimesh dhe skenarë ta padëshiruar për ekonominë shqiptare.