Letër kërcënuese në ambasadën e SHBA-ve në Shkup
Një letër kërcënuese me pluhur të bardhë në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup. Me këtë rast ambasada amerikane menjëherë ka ndërmarrë masa serioze të sigurisë për të evituar pasojat eventuale për shëndetin e njerëzve.
Meqenese ka ekzistuar dyshimi për sulm të mundshëm me antraks, nxënësit e shkollës “ Orce Nikollov”, që gjendet afër ambasadës, janë këshilluar të mos dalin jashtë klasave, njoftoi e përditshmja maqedonase “Dnevnik”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka vërtetuar se në Ambasadën Amerikane në Shkup ka arritur një letër kërcënuese, për më vonë është vërtetuar se nuk bëhet fjalë për kërcënim me antraks ose eksplozivë. Sigurimi i ambasadës ka reaguar dhe e ka njoftuar rastin në polici.
Letra kërcënuese dje kanë marrë edhe disa ambasada në Evropë dhe rajonit tonë.
“Analizat e bëra të përmbajtjes në letra janë negative, por ato janë dërguar në analizë të mëtutjeshme në SHBA”, njoftoi dje një përfaqësues i ambasadës në Shkup. Letrat janë dërguar në SHBA, kurse për hetimet kompetente është FBI.
Sipas Departamentit të Shtetit Amerikanë letra kërcënuese kanë marrë ambasadat në Berlin, Bruksel, Bukuresht, Kopenhagë, Oslo, Paris, Dublin, Luksemburg, Rigë, Romë, Talin, Zagreb, Hagë, Stokholm, Rejkavik. (INA)