E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Kujdes! Tubimi mund të jetë i dhunshëm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përsëritur apelin për qytetarët e vet, duke i paralajmëruar të kenë kujdes gjatë demonstratave të fundjavës në Tiranë. Fillimisht ambasada publikoi njoftimin për demonstratën e opozitës, ku theksonte se: “Partia Socialiste ka kërkuar leje në Policinë e Shtetit, për mbajtur një demonstratë të madhe në qytetin e Tiranës, në orën 16:00 të së premtes, më 18 shkurt 2011. Demonstruesit do të mblidhen në 10 pika të ndryshme, përreth Tiranës, dhe do të marshojnë në këmbë drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Demonstratat e kaluara kanë shkaktuar bllokimin e arterieve hyrëse të qytetit dhe kanë shkaktuar dyndje në trafik. Personeli i ambasadës është këshilluar të shmangë qëndrimin në hapësirat ku mbahen demonstratat dhe të limitojnë udhëtimet gjatë protestës”. Më tutje, ambasada konstaton se edhe pse në të shkuarën janë mbajtur disa demonstrata të mëdha e paqësore në Tiranë, ajo e 21 janarit ishte e dhunshme dhe rezultoi me katër të vdekur e shumë të plagosur, mes të cilëve edhe forca të policisë. “Ju kujtojmë qytetarëve amerikanë se edhe nëse demonstratat nisen të jenë paqësore, ato papritur mund të kthehen në të dhunshme. Ju duhet t’i shmangni ato në të gjitha mënyrat. Demonstratat në një qytet mund të përhapen edhe në tubime të tjera, apo demonstrata në lokalitete të ndryshme të vendit. Tregohuni të vëmendshëm për raportimet e medias, në lidhje me vendet ku pritet të zhvillohen demonstrata. Qytetarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë përgjatë demonstratave”, theksohet në njoftimin e ambasadës. Njoftimi i dytë i ambasadës me thuajse të njëjtën përmbajtje është rreth “tubimit të qeverisë shqiptare”. Qytetarët amerikanë njoftohen se “Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar planet për të mbajtur një tubim të dielën, 20 shkurt 2011. Ambasada nuk ka informacione specifike në lidhje me vendin apo hapësirën ku do zhvillohet tubimi i organizuar nga qeveria, por njësoj si në rastin e parë, këshillon qytetarët amerikanë të shmangin hapësirat ku zhvillohen tubime, me thuajse të njëjtin tekst si tek njoftimi i bërë për tubimin e paralajmëruar nga Partia Socialiste. Pas ngjarjes së 21 Janarit 2011, zyrtarët amerikanë, përfshirë ambasadorin Aleksander Arvizu, por edhe zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Tom Kantrimen, bënë thirrje për shmangien e tubimeve dhe demonstratave nga dy palët politike. Teksa kishin paralajmëruar mbajtjen e dy tubimeve, kryeministri Sali Berisha deklaroi se hiqte dorë, duke mirëkuptuar apelin dhe kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Kreu i opozitës, Edi Rama, insistoi te demonstrata homazh e 28 janarit dhe në përfundim të saj pohoi se kishte mirëkuptuar kërkesat e ndërkombëtarëve, por se dëshironte që të mirëkuptohej tanimë për arsyen pse nuk ndoqi këshillat e tyre. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›