Basha: U përmbushën kriteret, Shqipëria, një vend që s’mund të destabilizohet
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dëshmon në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, lidhur me çertifikimin edhe të 3 kritereve shtesë për heqjen e vizave, që u bë nga ekspertët e Komisionit Evropian. Standardet e larta të sigurisë po afrojnë edhe marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian
Qeveria shqiptare shprehet optimiste në pritje të një vlerësimi pozitiv nga ekspertët e Bashkimit Europian sa i përket përmbushjes së tre kritereve shtesë për procesin e liberalizimit të vizave me vendet e bllokut. Lajmi konfirmohet nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë. Sipas Bashës, strukturat shtetërore kanë arritur të përmbushin tre kushtet shtesë, që kanë të bëjnë me hartimin e një strategjie për riintegrimin e të riatdhesuarve, vazhdimin e përmirësimit strukturor të kapaciteteve në luftën kundër krimit e korrupsionit si dhe zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale.
“Presim vlerësim pozitiv nga ekspertët e BE. Për kushtin e parë qeveria ka marrë masa për hartimin e një strategjie për riintegrimin e të riatdhesuarve. U përcaktuan qartë burimet njerëzore dhe financiare për planin e veprimit. Ekspertët e BE do ta gjejnë këtë kusht të përmbushur nga Shqipëria. Në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore janë shtuar burimet e nevojshme për këtë gjë. Edhe në strukturën e narkotrafikut mbizotëron e njëjta gjë. Ekspertët vlerësojnë faktin që qeveria alokoi fonde për sistemin Memex në mënyrë që inteligjenca kriminale të jetë e mbledhur në një sistem të brendshëm. Kemi ç’instaluar mbi 230 banda kriminale dhe po merremi me konfiskimin e aseteve të tyre. Në bashkërendim me prokurorinë mbi 10 çështje janë finalizuar me sukses, ku për 5 prej tyre ka vendime gjykate. Qeveria ka 10 fishuar burimet për të intensifikuar luftën në këtë drejtim”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Më tej, Basha u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës në lidhje me treguesit e sigurisë në vend, atë për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike si dhe sigurisë të pasaportave biometrike.
“Opozita po denigron punën dhe arritjen e Policisë së Shtetit. Shqipëria nuk është më vend transit i qenieve njerëzore dhe i trafikut të heroinës. Indikatorët e sigurisë janë nën mesataren e vendeve të BE. Lufta kundër kanabisit sivjet ka fituar një dimension të ri. Vit historik për uljen rekord të kultivimit të saj. Pasaporta shqiptare është më e sigurt se kurrë”, deklaroi më tej ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Përgjatë seancës dëgjimore, e cila zgjati afro tre orë, ministri Basha ftoi opozitën të japë kontributin e saj duke mbështetur autoritetet shtetërore sa i përket përmbushjes së kushteve që do t’i hapin dyert shqiptarëve për të lëvizur pa viza brenda këtij viti në BE.
Në vazhdimësi të përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit Basha u ndal në sistemin e kontrollit të kufijve shqiptarë, duke pohuar se ai është tërësisht i integruar në kohë reale me postat kufitare, qendrën e komandës dhe kontrollit dhe me INTERPOL-in.
Në këtë drejtim ministri i Brendshëm foli dhe për ecurinë e procesit të prodhimit të pasaportave biometrike, dokument që sipas tij plotëson standardet më të larta në Evropë.
Sipas tij ushtrimi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, veç leverdive, ka përshpejtuar azhendën e reformave strukturore, si dhe blerjen e azhornimin e platformave në dispozicion të agjencive ligjzbatuese, duke forcuar bashkëpunimin konkret për këtë çështje.
Ministri Basha tha gjithashtu se më 30 gusht ne do të paraqesim një raport të fundit, sikurse është vepruar dhe me tre vendet e tjera të rajonit, që përfituan në vitin 2009 liberalizimin e vizave me BE-në.
Lidhur me rezultatet e arritura në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, Basha tha se është bërë i mundur që trafiku i heroinës të shmangë Shqipërinë si një vend me kosto të lartë dhe risk të lartë biznesi për trafikantët e kësaj lënde.
“Lufta antitrafik, vijoi Basha, nuk përfundon me liberalizimin e vizave. Në këtë proces ai vlerësoi rëndësinë e ligjit “Për moratoriumin e skafeve”, që sipas tij ka dhënë rezultate pozitive të dukshme.
Duke iu rikthyer vendimit pritës nga ana e institucioneve shqiptare për liberalizimin e vizave me BE-në, ministri i Brendshëm theksoi se, “ky vendim mbështetet në shumë faktorë, por në asnjë faktor më shumë sesa gjendja e përmirësuar e sigurisë në vend dhe rezultatet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, të shprehura përmes shifrave konkrete, të verifikuara objektivisht nga partnerët tanë, si nga misionet e tyre në Tiranë apo dhe ato në Bruksel apo Uashington”.