Zbulohet një objekt arkeologjik në rrugën e Butrintit
Punimet për zgjerimin e rrugës Kanali i çukës-Butrint janë bërë shkas për zbulimin e një objekti të ri arkeologjik në Manastir, që pritet t’i shtohet itinerarit turistik këtë verë. Gërmimet e firmës sipërmarrëse të punimeve, që në fillim janë ndalur në territorin në afërsi të lapidarit kushtuar 5 dëshmorëve në Manastir, pasi nga vëzhgimi i kryer më parë nga arkeologët, është konstatuar prania e një objekti arkeologjik. Këtë e ka përforcuar edhe informacioni i dhënë nga bariu Pelivan Muho, që ka kullotën e bagëtive në afërsi të Manastirit, i cili ka qenë njeriu i parë që ka sinjalizuar firmën e ndërtimit për të punuar me kujdes në këtë territor. Ai ka treguar se kishte parë shfaqjen e një muri antik. Objekti i zbuluar është një mur në formë rrethore, në të cilin bie në sy mungesa e çimentos dhe përdorimi vetëm i gëlqeres së lëndës lidhëse mes gurëve të përdorur. Fillimisht arkeologët kanë menduar se kishin të bënin me një bazilikë, por duket se kjo ide ka rënë dhe puna për identifikimin dhe datimin e tij vazhdon. Disa arkeologë janë shprehur se ky është një ndërtim që i përket periudhës romake. I ndodhur shumë afër Murit të Demës dhe Manastirit të Shën Gjergjit, ai është cilësuar një monument që i shtohet itinerarit të guidave turistike të kësaj zone.
#