E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thumanë-Rrogozhinë, për rrugën 600 milionë euro

Durrës-Kukës kushton shtrenjtë? Duhet të shikoni projektin tjetër. 

Tiranë

Një rrugë shumë më e shkurtër, do të kushtojë mesatarisht 600 milionë euro. Por për fat të mirë, shqiptarët nuk do të paguajnë taksa për ta ndërtuar. Qeveria ka miratuar hapjen e tenderit ndërkombëtar për dhënien e autostradës Thumanë-Rrogozhinë me koncesion. Vendimi i djeshëm i jepte një bonos prej 8.5 pikësh, firmës që kërkoi koncesionin, kroates "Konstruktor-Inzenjering d.d". Kjo e fundit do të hyjë në tenderin ndërkombëtar e favorizuar për të fituar koncesionin.
Projekti
Kroatët kanë parashikuar ndërtimin e një autostrade me katër korsi. Gjerësi e secilës prej tyre do të jetë 3.5 metra. Autostrada do të ketë edhe dy korsi emergjence dhe një ndarje prej 4 metrash në mes, njësoj si rrugët evropiane. Rruga është e parashikuar në dy projekte. I pari kalon nga Thumana, duke u shkëputur nga rruga ekzistuese Milot-Fushë-Krujë, kalon në afërsi të Tiranës, hyn në Pezë të Madhe dhe vazhdon deri në Konjat, ku lidhet me aksin ekzistues Rrogozhinë-Lushnjë. Kjo rrugë ka një gjatësi 61 kilometra dhe parashikohet të kushtojë 629.973 milionë euro. Alternativa e dytë nis po nga Thumana, por bashkohet me rrugën ekzistuese Kavajë-Rrogozhinë në fshatin Lekaj. Kjo alternativë është e gjatë 52.6 kilometra dhe parashikohet të kushtojë 566.9 milionë euro, plus koston për përmirësimin e rrugës nga Lekaj në Konjat me një shtesë prej 51.3 milionë euro. Alternativa e parë pavarësisht kostos ka një avantazh pasi përfundon në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnjë, që aktualisht është me katër korsi, ndërsa Kavajë-Rrogozhinë është me 2 korsi. Kostoja e rrugës rritet ndjehem pasi parashikohet ndërtimi i disa veprave arti, përfshi edhe disa tunele më shumë se 500 metra të gjatë. Kroatët parashikojnë që për ndërtimin e rrugës do të duhen mesatarisht 2 vite. Koha e shfrytëzimit të rrugës do të jetë 35 vjet. Parashikohet që rruga të përfundojë në vitin 2009 dhe të jetë nën shfrytëzimin e firmës nga viti 2010 deri në vitin 2045. Për të përdorur rrugën çdo shqiptar duhet të paguajë 0.06 euro për kilometër. Pra, kush do të hyjë në Thumanë për të shfrytëzuar të gjithë rrugën do të duhet të paguajë 3.96 euro. Kjo tarifë është për shfrytëzimin e të gjithë rrugës. Ndërsa për hyrjet e tjera nga Tirana, ose pika të tjera, llogaria do të bëhet në bazë të kilometrave të përshkruara.
Përfshirja e shtetit
Edhe pse është koncesion, buxheti i shtetit do të nxjerrë shuma të konsiderueshme për ndërtimin e rrugëve. Duke qenë se autostrada jepet me koncesion, pra do të jetë një vepër që pas 35 vitesh do të kalojë në përdorim të qeverisë, atëherë kjo e fundit është e detyruar të paguajë shpronësimet. Sipas të dhënave, në variantin e parë qeveria duhet të paguajë 48.126 milionë euro për të shpronësuar pronat, në të cilat do të kalojë autostrada, ndërsa në variantin e dytë kjo kosto është 43.3 milionë euro. Kjo në fakt është vlera e parave që do të paguajnë shqiptarët për të shfrytëzuar autostradën e re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›