E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thumbelina, vetëm 40 cm dhe 30 kg për kalin më të vogël në botë



Petrika GROSI
Specialistët e Librit të Artë të Rekordeve Gines kanë deklaruar zyrtarisht fituesin e titullit “kali më i vogël në botë”, Kali quhet Thumbelina dhe është 5 vjeç. Thumbelina është e lartë diçka më shumë se 40 centimetra. Ajo konsiderohet si një racë tepër e rrallë dhe pronarët që e kanë rritur dëshirojnë ta shumojnë llojin e saj pasi do të ishte tepër fitimprurës një biznes i tillë. Krijesa duket sikur ka dalë nga ndonjë libër përrallash. Është e ngjashme në gjithçka me një kalë normal dhe rritësit e saj e kanë kultivuar nga një çift kuajsh të racës shtatvogël. Thumbelina është rezultati i punës së tyre më të mirë gjatë të gjitha përzgjidhjeve që kanë bërë për mëse dy dekada. Kali i vogël është i seksit femër dhe peshon rreth 30 kg. Porsa lindi Thumbelina, pronarët e saj e kuptuan menjëherë se kishin të bënin me një kalë shumë të veçantë që do të bëhej i famshëm dhe do të futej në librin e Ginesit. Të gjithë kuajt e vegjël që lindin në femrën “Goose Creek” fillimisht peshojnë 11-12 kg, për të arritur më pas një zhvillim deri në 100 kg peshë dhe jo më shumë se 85 cm lartësi. Kjo ka qenë norma, të paktën deri ditën kur do të lindte Thumbelina. Fillimisht ajo ishte 4.5 kg dhe i shqetësoi rritësit e kuajve se mos kishte probleme keqformimi. “Ishte shumë e vogël dhe nuk imagjinonim dot që me ato karakteristika të arrinte të mbijetonte” – thotë Kay Goessling duke vijuar se “...Thumbelina na la pa fjalë menjëherë pasi nisi që të kërcente sa andej këndej duke bërë rregullisht të gjitha gjërat që bën një kalë i sapolindur.” Lindja e Thumbelinës me përmasa aq të vogla është shpjeguar si një rast “nanizmi”. Ajo është shumë e veçantë sepse konsiderohet si miniatura e një miniature. Kemi të bëjmë me një ekzemplar vërtet unik. Më tej, kujdestari i saj shpjegon se “Kur Thumbelina lindi peshonte 4 kg dhe mu duk vërtet si një rast në kushte tepër kritike. Në fermën tonë të gjithë ishim të shqetësuar për fatin e saj. Këmbët e Thumbelinës nuk janë aspak në proporcionin e duhur me trupin e saj dhe me kokën. Kali ka pasur nevojë për suporte ortopedike në mënyrë që t’i mbante këmbët drejt. Megjithatë, ne e duam pavarësisht të gjithave Thumbelinën me të mirat dhe defektet që ajo ka.” Ferma ku aktualisht jeton Thumbelina ka 47 kuaj të racës së vogël nëpër stallat e saj. Por edhe pse është më e vogla ndër të gjithë kuajt, sa i takon vendit që ka për vete në fermë, Thumbelina mbetet më e privilegjuara me jo pak, por 150 hektarë. Pronarët duket gjithashtu se nuk kanë ndërmend që ta shesin këtë ekzemplar. Lidhur me këtë ata shprehen se “Nuk besojmë që prindërit tanë do të donin të na shisnin ne për asnjë lloj çmimi apo oferte sado të majme. Nuk mund të ndahemi nga Thumbelina pasi është tepër e shtrenjtë për t’u shitur.”

Njeriu më i shëndoshë në botë, Jon Brouer Minnoch me 635 kg

A e dini se kush ka qenë njeriu më i shëndoshë në botë? Ai quhet Jon Brouer Minnoch dhe është nga Brainbridge Island (Siatëll- SHBA). Në mars të vitit 1078 kur Jon u shtrua për trajtim të specializuar në Spitalin Universitar të Siatëllit pesha e tij vlerësohej të arrinte deri në 635 kg. Kjo shëndoshje ka qenë rezultat i mostretjes dhe depozitimit së lëngjeve nga trupi dhe organizmi i Jon Minnoch. Në moshën 22 vjeçare ai peshonte 478 kg dhe ishte 185 cm i gjatë. Duheshin 12 punonjës të zjarrëfikëses dhe një karroatrec për ta transportuar burrin në spital ku u akomodua në dy krevate speciale të bashkuara me njëri tjetrin.
Pas një diete që zgjati për dy vite pesha e tij mrekullisht shkoi në 216 kg. Një rrënie e kileve kjo, drastike, që nuk ka gjasa të thyhet për shumë e shumë kohë, nga asnjë qenie njerëzore në glob.
Një vit pas rrënies së peshës ai i shtoi sërish kilet e tij duke arritur 432 kg. Më pas u shtrua sërish në spital për trajtim. Kur Jon Brouer Minnoch vdiq në moshën 42-vjeçare, peshonte 362 kg.

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›